Ilustrim

Gjakovë, kërkohet marrëveshje në gjykatë për katër thasët me marihuanë

Gjykimi i dy të akuzuarve për 29 kilogramë marihuanë të gjetur në katër thasë është shtyrë për 13 janar me qëllim që palëve t’u jepet kohë për ta negociuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Albert Memia dhe Armand Muçaj po akuzohen për katër thasë të mbushura me marihuanë në peshë prej 29 kilogramë e 317 gramë të transportuara nga Shqipëria në Kosovë në gusht të këtij viti.

Të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre Meshari Selimaj dhe Gëzim Kollçaku kërkuan të hyjnë në negociata me Prokurorinë.

Memia dhe Muçaj po akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës.

Sipas aktakuzës më 29 gusht të këtij viti, dy të akuzuarit pas një marrëveshje, kishin ardhur nga fshati Mejdan i Tropojës përmes pikës kufitare Qafë Morinë në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, e më pas janë parkuar te qendra tregtare ETC në Gjakovë.

Aktakuza thotë se ata marihuanën e kishin vendosur në veturën e tipit Mercedes.

Aktakuza shpjegon se më pas Memia dhe Muçaj janë ndalur nga Policia, pasi që Policia kishte informata që në veturën e Albert Memisë ndodhet substanca narkotike.

Pas kontrollit në bagazhin e veturës, Policia kishte gjetur katër thasë të mbushura me marihuanë.