Gjakovë - Katër të akuzuarit e pranojnë fajin për grabitjen në tentativë

Katër të akuzuarit se kishin tentuar të grabisin në një këmbimore me pronar Ismet Syla në Gjakovë, sot para gjykatësit Shaqir Zika, pranuan fajësinë.

Besim Morina, Qemajl Gashi, Besnik Prenqi dhe Samuel Prenqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Ata i kërkuan falje të dëmtuarve Ismet Syla dhe Fadil Avdyli, duke thënë se ditën kritike kishin qenë nën ndikimin e substancës narkotike.

Këto pranime të fajësisë, nuk i kundërshtoi prokurori i rastit Ramiz Buzhala.

“Gjatë shqiptimit të dënimit të merret parasysh faktin se të njëjtit kanë qenë bashkëpunues që nga fillimi por që të njëjtit në ketë tentativë kanë përdorur edhe armën”, u deklaruar prokurori Buzhala.

I dëmtuari Ismet Syla, kërkoi kompensim dëmi dhe kërkoi nga gjykata që të njëjtit të dënohen me dënimin më të lartë.

Ndërsa, i dëmtuari Fadil Avdyli deklaroi se kishte qenë vetëmdëshmitar i rastit në këtë ngjarje.

Ndërkaq, gjykatësi i rastit Shaqir Zika, caktoi ditën e hënë për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzën, më 17 shkurt të vitit 2021, Besim Morina, Qemajl Gashi, Besnik Prenqi dhe Samuel Prenqi me përdorimin e forcës kishin hyrë në këmbimoren “Ismeti”, duke tentuar t’i marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Ismet Syla.

Aktakuza thotë se ata kishin qenë të maskuar me kapela në kokë dhe me maska anti-covid, ku Samuel Prenqi ka qëndruar jashtë lokalit për të bërë roje, ndërsa Besnik Morina me pistoleten “Pietro Bereta” dhe Qemajl Gashi me pistoletën lodër, bashkë me Besnik Prenqin kishin hyrë në lokal duke thënë “Qitni paret”.

Në aktakuzë thuhet se brenda në lokal ka qenë i dëmtuari Ismet Syla bashkë me Fadil Avdylin dhe se të akuzuarit në këtë rast kishin hasur në rezistencë dhe gjatë përleshjes kishin arritur të ikin në drejtim të Stacionit të Autobusëve.

Të njëjtit gjenden në paraburgim nga data 19 shkurt të këtij viti.