Ilustrim

Gjakovë - Kapet në flagrancë duke pranuar para në emër të fajdesë

V. M. është arrestuar nga Policia nën dyshimet se i ka vënë fajde një personi në Gjakovë.

Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar duke i pranuar 4 mijë euro nga ankuesi që kishte njoftuar rastin se i është vënë fajde.

“Me 02.10.2019, i dyshuari është arrestuar në flagrancë pak pasi ka pranuar shumën prej 4000 (katër mijë) euro nga ankuesi. I dyshuari është kontrolluar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe tek i njëjti janë gjetur 4000 (katër mijë) euro që janë përdor për simulim të veprës penale”, ka njoftuar Policia.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se i dyshuari: V.M., viti i lindjes 1967, dyshohet se në vitin 2016 i ka ofruar një shumë prej 3500 (tre mijë e pesëqind) euro me fajde një qytetari.

“Ankuesi deklaron se ka paguar shumën prej 4200 (katër mijë e dyqind) euro, por nuk ka arritur ta paguajë shumën tjetër. I dyshuari, së fundmi  ka rritur kërkesën duke kërkuar 38000 mijë (tridhjetë e tetë mijë) euro nga ankuesi”, bën të ditur Policia.

Policia ka njoftuar se me të pranuar informatën me 23.09.2019, ka siguruar urdhëresën nga Gjykata Themelore Gjakovë për zbatim të masave të fshehta të hetimit me qëllim të grumbullimit të fakteve lidhur me këtë rast.

“Për rezultatin e hetimeve është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë, me aktvendim të të cilit të dyshuarit, pasi intervistimit, i caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, përfundon njoftimi i Policisë.