Gjakovë, ish-asamblisti i Alternativës deklarohet i pafajshëm për mosraportim të pasurisë

Jeton Vorfi ish-asamblisti i partisë politike “Alternativa”, i akuzuar për mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, nuk e pranoi akuzën.

Vorfi tha se kishte dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit në vitin 2019.

“Si asamblist në komunën e Gjakovës kam qenë 6 vite dhe kam qenë deklarues i rregullt i deklarimit të pasurisë, e në rastin konkret kam vendosur të jap dorëheqje nga asamblisti përmes kërkesës zyrtare me shkrim dhe në qershor të vitit 2019 më është aprovuar dorëheqja nga subjekti politik, e zyrtarisht asnjëherë nuk jam njoftuar nga komuna”- deklaroi Jeton Vorfi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datën 18 janar.

Gjykatësi i rastit Drilon Haraçia paraprakisht kishte treguar se pas kërkesës së Prokurorisë për dhënien e urdhërit ndëshkimor, gjykata jashtë shqyrtimit gjyqësor kishte dhënë urdhër ndëshkimor, duke e dënuar me gjobë prej 300 eurove, të cilën gjobë ai ishte obliguar që ta paguajë brenda 15 ditësh.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e akuzuar kishte paraqitur kundërshtim kundër gjobës së shqiptuar dhe i njëjti rast pritet që të zhvillohet në procedurë të rregullt.

Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com Jeton Vorfi po akuzohet se pas dorëzimit të mandatit si asamblist, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Aktakuza thotë se që nga 27 qershori 2019 deri me 27 korrik 2019, në cilësinë e ish-këshilltarit komunal në Gjakovë nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh pas dorëzimit të mandatit si asamblist.

Në aktakuzë thuhet se ky deklarim është i paraparë për të gjithë zyrtarët publik dhe të njëjtit përfshirë edhe Jeton Vorfin janë të informuar për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Gjakovë, aktakuzë e urdhër ndëshkimor ndaj ish-asamblistit të “Alternativës”