Gjakovë - I akuzuari për veteran të rrejshëm e pranon fajin në Gjykatë

Pal Rrustemi, i akuzuar për deklarim të rremë dhe falsifikim të dokumenteve për marrje të pensionit të veteranit, pranoi fajësinë.

Gjyqtari i rastit, Drilon Haraçia caktoi datën 13 nëntor për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Mone Syla, thuhet se në prill të vitit 2016 përpilon dokument të falsifikuar si origjinal, në atë mënyrë që në cilësinë e aplikuesit për veteranë e me qëllim të perfitimit të statusit për luftëtar, ka dorëzuar aplikacion me të dhëna të falsifikuara.

Në aktakuzë thuhet se në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit invalidit/veteranit apo pjesëtarit të UÇK-së, dorëzon aplikacion me të dhëna të falsifikuara se kinse ka qenë i regjistruar si ushtar aktiv i armatosur dhe uniformuar nga shtabi i zonës operative të UÇK-së nga fillimi deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë.

Aktakuza shpjegon se pas dy vitesh në muajin shtator të vitit 2018, i akuzuari në procedurë administrative paraqet deklarim të rremë për marrjen e vendimit me qëllim të marrjes së pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive të tjera.

Në aktakuzë thuhet se pas këtyre veprimeve, i njëjti kishte arritur të marrë shumën mujore prej 170 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.