Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Gjakovë, hidhet aktakuza ndaj të akuzuarve për vendosjen e afisheve fetare kundër votimeve

Gjykata e Gjakovës ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë të ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala dhe ka pushuar procedurën penale ndaj dy të akuzuarve për ndikim në votuesit e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj akuzohen se kanë ndikuar te votuesit, duke i ftuar ata të mos merrnin pjesë në zgjedhje, përmes afisheve fetare.

Në vendimin e tij, gjykatësi Shaqir Zika u ka dhënë palëve të drejtën për ankesë në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Gjakovës ka vlerësuar se vepra për të cilën akuzoheshin të akuzuarit nuk përbën vepër penale.

Prokuroria pretendon se Azemaj dhe Dervishaj me qëllim të parandalimit të njerëzve për të votuar kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Gjykata vendimin e saj gjatë arsyetimit e kishte bazuar në faktin se për këtë vepër penale fillimisht duhet të ekzistojë dashja, vetëdija se me veprimin ose mosveprimin e ndërmarrë pengon personat me të drejtë vote.

Gjithashtu, Gjykata ka konsideruar se të akuzuarit kanë qenë qytetarë të rëndomtë pra nuk kanë pasur ndonjë detyrë që u është besuar nga ana e KQZ-së lidhur me zgjedhjet dhe se në aktakuzë nuk ka prova të veprimeve inkriminuese, se të njëjtit me vendosjen e afisheve fetare kanë penguar votuesit në mënyrë të kundërligjshme.

Afishe fetare për t’i penguar votuesit, të akuzuarit nuk i pranojnë ligjet dhe gjykatën e Kosovës

Dy të akuzuarit, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj, para Gjykatës kishin pranuar që kishin vendosur afishet por kishin kundërshtuar t’i pranojnë ligjet e Kosovës.

Në këtë rast përveç këtyre dyve, i akuzuar për armëmbajtje pa leje ishte edhe personi Muhamet Azemaj, i cili kishte pranuar fajësinë dhe i njëjti është dënuar me gjobë prej 1 mijë euro.

Gjykimi për afishet kundër zgjedhjeve: I akuzuari, gjykatës: “Ju jeni qafira e pabesimtarë”

Në seancën fillestare, ata kishin mohuar shtetin dhe ligjin e Kosovës.

“Mohoj shtetin e juj, ligjin juj, e kam vetëm një dhe ai është Allahu. E urrej këtë punë. Ju jeni pabesimtarë, për mu jeni qafirë dhe qafiri dihet ku shkon – në zjarr të xhehnemit. Ky ligj është i padrejtë, e mohoj këtë ligj ngase këtë ligj e ka sjell njeriu dhe unë i përmbahem vetëm ligjeve të Allahut”, kishte deklaruar i akuzuari Haki Azemaj.

Ai gjithashtu para gjyqtarit kishte kundërshtuar të ngrihej në këmbë para gjykatës për marrjen e të dhënave personale, derisa policët e kishin ngritur në këmbë.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Valon Dervishaj, kishte thënë se kjo akuzë e Prokurorisë nuk është vepër penale.

“Nuk pajtohna për këtë vepër që e kam bo derisa Allahu të ma merr shpirtin, kjo nuk është vepër penale por këshilla është vepër e lëvdushme. Unë thirrna vetëm në atë që Allahu e ka urdhëru”, kishte deklaruar Valon Dervishaj.

Dervishaj ishte shprehur se nuk e kishte lënduar askënd me vendosjen e afisheve

“Deklarohem i pafajshëm sepse s’kam bo një vepër që e lëndon dikon, por e pranoj që ato afishe e pranoj që i kam vendos”, kishte shtuar Dervishaj.

Sipas aktakuzës, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj një ditë para zgjedhjeve nacionale, duke u bërë thirrje votuesve të mos merrnin pjesë në votime, kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura mga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Aktakuza thotë se këto afishe i kishin shumëzuar në një shtypshkronjë në Gjakovë dhe i kishin vendosur në “Xhaminë e Sofës”, në afërsi të shkollës fillore “Zekeria Rexha” dhe në Qarshinë e Vjetër.