Gjakovë – Gjykimi për 63 kg drogë, rahovecasi ballafaqohet me dëshmitarët

 

Rahovecasi Habib Shehu, i akuzuar për blerje dhe shitje të mbi 63 kg marihuanë, u ballafaqua me deklarata të dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, Habib Shehut në maj të vitit 2019, në Rahovec, në garazhin e shtëpisë së tij, ku edhe kishte parkuar kamionin, i janë gjetur tri paketime të mëdha me marihuanë.

Aktakuza e Prokurorisë, thotë se marihuana ka qenë në peshë prej 63  kilogramë e 200 gramë.

Po ai kishte mohuar që marihuana të ishte e tij apo ta kishte lënë aty.

Sot, një ndër dëshmitarët ishte edhe vëllai i tij Masar Shehu, i cili tregoi se pompa e derivateve kishte qenë në pronësi të babait të tyre dhe se aty kishte ndërhyrë pronari i pompës, me qëllimin e blerjes.

Ai tregoi se garazhet shfrytëzohen edhe nga pompa e derivateve edhe nga familja e tyre dhe se të njëjtat garazhe i kanë dyert e hapura.

“Në garazhë ne i lëmë kamionët e punës dhe se pompa e derivateve ka pasë me e liru këtë objekt dhe për të njëjtën çështje jemi në kontest gjyqësor për lirimin e objektit të garazheve, ne kemi kontratën e shitblerjes, fletëpagesat, kopjet e aktvendimit dhe të gjithë dokumentacionin”, deklaroi dëshmitari Masar Shehu.

Masar Shehu tha se kamionin universal me kiper, sarada dhe autocisternën, të cilin e voziste vëllai i tij Habib Shehu për të bartur derivate, e kishte blerë nga Bekim Topalli pronar i kompanisë “Xeni-T”, por që të njëjtin nuk e kishte përkthyer në emrin e tij.

Vëllai i të akuzuarit Habib Shehu, Masar Shehu tregoi se para rastit pronari i pompës së derivateve dhe vëllai i tij Habibi, kanë pasur një fjalosje dhe konflikt fizik për atë objekt dhe se për këtë Habibi kishte qenë dy muaj në paraburgim.

Më pas, dëshmitari Bekim Topalli, pronar i firmës “Xeni-T”, tregoi se një mjet transportues ia ka shitur familjes Shehu dhe se momentin kur ka ndodhur rasti, ai veq se e kishte shitur kamionin e tij dhe se as Habibi e as askush nuk kishte punuar tek firma e tij.

“Unë nuk barti derivate e sipas nevojës e thirri ndonjë punëtorë për të kryer ndonjë punë, por Habibin nuk e kam angazhuar asnjëherë, përveç që iu kam shitur kamionin dhe i njëjti kamion nuk ishte përkthyer në emër të Habib Shehut sepse ai kishte pasur një problem me bankë”, deklaroi dëshmitari Bekim Topalli.

I akuzuari Habib Shehu, në Prokurori kishte deklaruar se është shofer i një kamioni, të firmës private “Xeni-T”, pa kontratë pune përmes të cilës transporton karburante, por punon edhe sipas kërkesave të klientëve të ndryshëm për bartje të derivateve.

Përveç tij, sipas të akuzuarit Shehu, këtë kamion e përdorin edhe shoferë të tjerë.

Garazhi në të cilën janë gjetur mbi 63 kilogramë marihuanë, sipas të akuzuarit është pronë e kompanisë së derivateve, ndërsa më herët kishte qenë e babait të tij, por kishte thënë se për të janë në kontest civil edhe pse tani për tani e shfrytëzon kompania e derivateve, e kohë pas kohe edhe vet personalisht.

Egzon Hajde, punëtor në pompën e derivateve dhe fqinji i të akuzuarit Habib Shehu, tha se garazhin e shfrytëzonin edhe pompa edhe familja Shehu, por që nuk ishte në dijeni më shumë, pasi që është vetëm punëtor i pompës.

Ai tha se i tërë objekti i pompës dhe përreth saj, ka qenë nën vëzhgim të kamerave.

Ndërsa dëshmitari Egzon Shehu, nipi i të akuzuarit Habib Shehu, tha se nuk do të dëshmojë për rastin e axhës së tij, pasi që këtë të drejtë ia njeh edhe ligji.

Në këtë rast, pompa e derivateve kishte paraqitur një kërkesë pranë gjykatës si masë mbrojtëse ndaj saj për çështje anonimiteti, mirëpo trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari i ndihmuar nga gjyqtarët Drilon Haraçia dhe Besarta Doli, vlerësuan se seancat janë publike dhe se prezenca e mediave vjen nga marrëveshja e bashkëpunimit mes tyre dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Lidhur më këtë kërkesë nga ana e pompës, prokurori Ali Uka, th se sa i përket kërkesës dëshmitarët kanë treguar gjendjen reale sepse garazhi ka pretendime se është në pronësi të pompës dhe e njëjta kërkesë nuk ka bazë për të mbetur anonim kompania e derivate.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Habib Shehu, avokati Haxhi Millaku, tha se shkrimet e gazetarëve dhe pretendimet e kësaj kërkese nga kompania e derivateve nuk kanë kurrfarë relevance në këtë çështje konkrete, sepse kompania më mirë është dashur të jep sqarime se përse janë zhdukur inçizimet e kamerave ku e shfrytëzon vet kompania e derivateve të naftës.

Ky rast është caktuar për të vazhduar me datën 27 korrik, për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Habib Shehu gjendet në paraburgim nga data 7 maj të vitit 2019.

Sipas aktakuzës, Habib Shehut në maj të vitit 2019, në garazhin e shtëpisë së tij, ku ishte i parkuar kamioni i tij, prapa disa makinave të pompës së derivateve, i janë gjetur tre paketime të mëdha me marihuanë.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se marihuana ka qenë në peshë prej 63.200 kg.

Për këtë vepër penale, sipas dispozitave ligjore mund të dënohet 2 deri në 8 vite burgim.

Gjykimi për blerje, posedimi, shpërndarje dhe shitje të drogës