Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovë, Gjykata refuzon kërkesën e asamblistit të LDK-së për hedhje të aktakuzës

Asamblistit të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjakovës, Sadik Hoti, i është refuzuar kërkesa për hedhje të aktakuzës për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Gjykatësi i rastit, Drilon Haraçia, ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se e njëjta është e pabazuar në ligj.

Ai ka vlerësuar se provat në të cilat është mbështetur aktakuza janë të siguruara në mënyrë të ligjshme nga ana e Prokurorisë.

Po ashtu, Gjykata e Gjakovës ka vlerësuar se në veprimin e të akuzuarit ka elemente të veprës penale dhe se në shqyrtimin gjyqësor secila provë do të shqyrtohet një nga një.

Përveç kësaj, Gjykata ka vlerësuar se nuk ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale për akuzën që i vihet në barrë të akuzuarit Sadik Hoti.

Kundër këtij aktvendimi, i akuzuari ka të drejtën e ankesës në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Asamblisti i LDK-së, Sadik Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja Deshire Jusaj thuhet se nga data 1 deri më 31 mars të vitit 2019, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në Kuvendin Komunal në Gjakovë, Sadik Hoti ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë veturën e cila është në pronësi të djalit të tij “Volkswagen VW- Golf 1K”, vit i prodhimit 2011.