Foto: Kallxo.com

Gjakovë, e akuzuara pranon se u bë veterane e UÇK-së me dallavere

Violeta Krasniqi, e akuzuar për deklarim të rremë dhe falsifikim të dokumentit me qëllim të fitimit të pensionit si veterane e UÇK-së, e pranoi fajësinë të mërkurën në gjykatën e Gjakovës.

Duke pranuar akuzën e Prokurorisë, ajo shtoi se është penduar për veprën penale dhe premtoi se nuk do t’i përsërisë më veprimet e njëjta.

Prokuroria kërkoi që asaj t’i konfiskohet certifikata e veteranes.

Ndërsa, gjykatësi Drilon Haraçija caktoi ditën e nesërme për shpalljen e aktgjykimit.

Seanca e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarës.

Krasniqi kishte qenë e ftuar nëpërmjet urdhëresës për sjellje me forcë nga Policia.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2018, në cilësinë e palës në procedurë administrative, Violeta Krasniqi ka paraqitur deklaratë të rrejshme se kinse ka qenë e regjistruar si ushtare aktive e armatosur e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, me qëllim të përfitimit të pensionit të veteranes.

Aktakuza shpjegon se më pas e akuzuara, si aplikuese për pensionin e veteranes ka përdorur dokumentin e falsifikuar- vërtetimin e Zyrës për çështje të Kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në Prishtinë dhe të njëjtën e kishte dorëzuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenees Sociale.

Kjo aktakuzë është ngritur me 3 shtator 2019.