Gjakovë, dy vjet burg për vrasje aksidentale të fëmijës me bager

Gazmend Hasanaj, i akuzuar se me bagerin e tij, duke mos e parë, kishte goditur për vdekje fëmijën 12 vjeçar, u dënua me dy vite burgim.

Paraprakisht Hasanaj, sot e pranoi fajësinë, ndërsa gjykata e Gjakovës e shpalli fajtor me dy vite burg.

“Më vjen keq për rastin që ka ndodh dhe fillimisht i shprehi ngushllime familjes Shoshi dhe se më mirë që në atë rast të ishte djali jem se sa ai djalë”- deklaroi Gazmend Hasanaj.

Ndërsa prokurorja Dëshire Jusaj, duke mos e kundërshtuar pranimin e fajit nga ana e të akuzuarit, tha se e vlerëson korrektësinë nga ana e tij.

Në anën tjetër i dëmtuari Shyqyri Shoshi tha se me të akuzuarin janë pajtuar.

“Unë ja kam falur rastin për hir të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, nuk kemi asgjë të keqe për mua tash mund ta lëshoni prej burgut. Mund të më udhëzoni në kontest civil”, deklaroi i dëmtuari Shyqyri Shoshi.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Meshari Selimaj kërkoj nga gjykata që ndaj klientit të tij paraburgimi t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Sipas aktakuzës më 1 korrik  në fshatin Skivjan të Gjakovës, Gazmend Hasanaj, duke drejtuar mjetin e tij të punës të tipit eskavator (bager), duke mos e vërejtur fëmijën G.Sh. në anën tjetër të rrugës, e kishte goditur në kokë dhe trup me rrotën e parë.

Aktakuza shpjegon se mjetin e tij të punës e kishte pa regjistrim dhe pa leje përkatëse.