Foto: KALLXO.com

Gjakovë, dënim me burg dhe gjobë për kontrabandim me migrantë

Gjykata e Gjakovës, përkatësisht gjykatësi Drilon Haraçia, ka shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti dhe gjobë në shumë prej 3 mijë euro ndaj Demë Sefajt, i akuzuar për veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Demë Semaj akuzohej nga Prokuroria e Gjakovës se më 17 shkurt të vitit 2018 është marrë me kontrabandimin e migrantëve.

Gjobën prej 2 mijë euro Sefaj është obliguar ta paguajë në afat prej dy muajsh.

Përveç kësaj, Gjykata ka obliguar të akuzuarin që të dëmtuarit Hasan Ademaj t’ia kompensojë shumën prej 2 mijë e 500 euro në afat prej 3 muajsh.

Sipas aktakuzës, më 17 shkurt të vitit 2018, Demë Sefaj kishte arritur marrëveshje gojore me dëshmitarin – të dëmtuarin Hasan Ademaj, që të njëjtin ta dërgojë në qytetin Novi Sad të Serbisë, e prej aty ta dërgojë në Austri përmes dy personave të nacionalitetit serb, përmes rrugëve ilegale.

Aktakuza thotë se Demë Sefaj nga i dëmtuari Hasan Ademaj kishte marrë shumën prej 500 euro në emër të sigurimit të pasaportës, e gjithsej i dëmtuari kishte paguar 2 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se pasi i kanë marrë paratë, dy personat e nacionalitetit serb janë larguar në drejtim të panjohur, duke mos e dërguar të dëmtuarin në destinacionin e kërkuar.

Kjo aktakuzë është ngritur më 15 mars 2021 nga prokurori Ali Uka.