Gjakovë, del para gjykatës e akuzuara se kishte kanosur ish-mësuesen e djalit të saj

Arta Skenderi, e akuzuara për kanosjen ndaj mësueses së shkollës fillore “Emin Duraku” në Gjakovë, Leonora Dolit, sot para gjyqtares së rastit Diana Sina, nuk e pranoi akuzën e Prokurorisë.

Aktakuza ishte ngritur nga prokurori Bajram Kryeziu, ndërsa sot prezent ishte prokurori Sadri Alija

“Është e vërtetë qe ia kam thënë ato fjalë ish-mësueses së djalit tim, por fjalët i kam thënë për të mbrojtur djalin tim dhe nuk tërhiqem prej atyre fjaleve të cilat i kam thënë publikisht, por nuk e pranoj fajësinë”- deklaroi e akuzuara Arta Skenderi.

Ndërsa, mbrojtësi i saj avokati Prek Kola, hoqi dorë nga kundërshtimi i aktakuzës dhe provave të saj dhe Gjykata caktoi datën 8 tetor për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 2019, përmes medias RTV “Dukagjini”, e akuzuara Arta Skenderi e kërcënon të dëmtuaren  Leonora Doli me fjalët “nëse jo gjykata hakun do ta nxjerrim vet”.

Në aktakuzë thuhet se janë thënë edhe disa fjalë të tjera nga e akuzuara, sikurse fjalët “ajo ka ndodh para 4 viteve, por kjo çka ka me ju ndodhë tash 99-shi pak u kon” si dhe fjalët “edhe pulat që i ka në oborr ka me jau ba rrafsh”.

Aktakuza e Prokurori përshkruan edhe disa fjalë të tjera sikurse “Gjykata le të bëjë çka të dojë, ne s’kemi mu nal këtu, çka ka me ndodh ma e keqja që Gjakova të ulet në gjak krejt”, e gjithashtu e njëjta thotë “që hakun ka me ja dhanë vetë mësueses”.

Aktakuza thotë se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se e dëmtuara gjatë ushtrimit të detyrës së saj si mësimdhënëse kishte keqtrajtuar djalin e të akuzuares në shkollë.

I gjithë ky rast kishte filluar më herët, ku Prokuroria, prokurorja Dëshire Jusaj kishte ngritur akuzë ndaj mësueses Leonora Doli për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, mirëpo ish-mësueja e djalit të akuzuares, në maj të vitit 2019 me vendim të gjyqtarit Mentor Bajraktari ishte liruar nga kjo akuzë.

Ajo akuzohej se nga fillimi i vitit shkollor 2015 e deri më 11 dhjetor 2015, në shkollës fillore “Emin Duraku” në Gjakovë, si arsimtare e matematikës në mënyrë të vazhdueshme e keqtrajton dhe  frikëson nxënësin e saj të klasës, në këtë rast djalin e të akuzuares Arta Skenderi.

Sipas prokurorisë, mësuesja ka keqtrajtuar fëmijën E.S. duke e goditur me shuplaka e po ashtu, më 11 dhjetor 2015, në orën e matematikës e akuzuara merr rripin e nxënësit R.P. i cili e kishte mbi bankë dhe me të e kishte goditur në kokë dhe në trup nxënësin E.S. duke shkaktuar tek fëmija frikë, ankth dhe mos guxim të vijimit të mëtejmë të mësimit pranë asaj shkolle.