Gjakovë, burgim me kusht për lëndim trupor e kanosje ndaj familjarëve

 

Gustin Prenkaj, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje ndaj familjarëve të tij, për veprën e lëndimit u dënua me 6 muaj burg, ndërsa për veprën e kanosjes me 10 muaj burg.

Mirëpo, gjykatësja e rastit Besarta Doli, shqiptoi dënimin unik prej 1 viti burgim me kusht, dënim ky që nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda 2 viteve.

Poashtu, të njëjtit iu shqiptua edhe detyrimi që të urdhërohet të heq dorë nga përdorimi i alkoolit.

Ai ishte deklaruar i fajshëm.

Akuza e ngritur nga prokurorja Mone Syla, rëndon të akuzuarin Gustin Prenkaj se i njëjti kishte përdorur forcë ndaj vajzës së tij Drita Nreja dhe kanosur gruan e tij Zoje Prenkaj dhe djalin Elvis Prenkaj.

Ai kishte qenë në paraburgim një muaj.

Sipas aktakuzës, në muajin qershor të këtij viti, i akuzuari Gustin Prenkaj duke përdorur forcën i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore vajzës së tij, Drita Nreja.

Aktakuza thotë se rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta në mes të akuzuarit Gustin Prenkaj dhe familjarëve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Gustin Prenkaj kishte kapur për fyti vajzën e tij Drita dhe i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore, mirëpo në atë moment kishte ndërhyrë djali i tij Elvis Prenkaj për ta larguar të akuzuarin.

Aktakuza shpjegon të njëjtën ditë, i akuzuari Gustin Prenkaj me sëpatë në dorë kishte kanosur gruan e tij Zoje Prenkaj dhe fëmijët Drita Nreja dhe Elvis Prenkaj, duke ju drejtuar me fjalët fyese “tani do të ju vras”.