Gjakovë – Burg dhe gjobë për grabitjen në tentativë

Dorlir Nura nga Skenderaj, i akuzuar për grabitje në tentativë, u dënua me 5 vite burgim dhe 2000 euro gjobë.

Gjykatësi Nikollë Komani, për kompensimin e dëmit, të dëmtuarit Jashar dhe Mirsad Isma nga Rahoveci, i udhëzoi në kontest civil.

Dorlir Nura ishte deklaruar i fajshëm për akuzën që i ngarkohej nga Prokuroria.

I akuzuari e pranon se tentoi ta grabisë shtëpinë në Rahovec

Dorlir Nura dyshohet se me personin Arbin Dula i cili gjendet në arrati, kishin hyrë në shtëpinë e familjes Isma në Rahovec, për të marrë para.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dorlir Nura me nofkën ‘Çipsi’, me 11 maj 2019 bashkë me personin Arbin Dula, kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Prokuroria pretendon se të dytë, duke përdorur forcën e duke qenë të maskuar dhe të pajisur me armë zjarri, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarve Jashar dhe Mirsad Isma, duke i kërkuar para familjes së tij, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas ka filluar një përleshje mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, ku njëri prej të pandehurve e godet me mjet të fortë të dëmtuarin Jashar Isma, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe pastaj kanë ikur në drejtim të panjohur.

Dorlir Nura ishte paraqitur vullnetarisht në Polici dhe i njëjti prej 5 qershorit gjendet në paraburgim, ndërsa Arbin Dula ende gjendet në arrati, thuhet në aktakuzë.