Gjakovë - Aktakuzë për falsifikim ndaj gjeodetit të Komunës së Rahovecit

Prokuroria e Gjakovës, përkatësisht prokurorja Ardita Beqiraj- Hyseni, ka ngritur aktakuzë për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndaj M. M.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com thuhet se në qershor të vitit 2019 në cilësinë e personit zyrtar si gjeometër në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në komunën e Rahovecit, dyshohet se ka përpiluar shkresën zyrtare dhe me nënshkrim të rremë e ka vërtetuar dokumentin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se M. M., ishte caktuar ai gjeodet nga ana e Gjykatës së Gjakovës – dega në Rahovec bashkë me ekspertin A. K., lidhur me një çështje kontestimore, në ekspertizën mbi ndarjen e parcelës në fshatin Bratotin në Rahovec, shënon emrin e ekspertit A. K., se kinse ka qenë prezent me rastin e daljes në teren per matjet e parcelës.

Aktakuza thotë se edhe me rastin e përpilimit të ekspertizës ai shënon emrin dhe nënshkrimin e tij, të cilën ekspertizë e dorëzon si provë materiale në gjykatë, ku eksperti A. K., gjatë asaj kohë kishte qenë në pushim vjetor, ndërsa në vend të tij si ndihmës gjeometër kishte marrë djalin e tij.

M. M., në deklaratën e tij në Prokurori ka thënë që si gjeodet punon që 42 vite dhe se me rastin e daljes në teren eksperti A. K., e ka njoftuar 3 ditë para dhe se i njëjti gjendet në pushim vjetor. Për këtë arsye M. M., kishte thënë që nuk kishte arritur ta njoftonte gjykatën dhe me rastin e daljes në teren kishte dalë djali i ekspertit.

Ky rast, pritet të gjykohet nga gjykatësi Drilon Haraçia.