Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovë, aktakuzë e urdhër ndëshkimor ndaj ish-asamblistit të "Alternativës"

Prokuroria e Gjakovës në muajin shkurt ka ngritur aktakuzë ndaj ish-asamblistit të partisë politike “Alternativa”, Jeton Vorfi, për mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe u.d i kryeprokurorit të Gjakovës, prokurori Ali Uka.

Uka tha që aktakuza është e ngritur në muajin shkurt të këtij viti për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë dhe në muajin shtator ndaj të njëjtit është shpallë një aktgjykim.

Gjykatësi i rastit Drilon Haraçia tregoi se pas kërkesës së Prokurorisë për dhënjen e urdhërit ndëshkimor, gjykata jashtë shqyrtimit gjyqësor kishte dhënë urdhër ndëshkimor, duke e dënuar me gjobë prej 300 eurove, të cilën gjobë ai ishte obliguar që ta paguaj brenda 15 ditësh.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e akuzuar ka paraqitur kundërshtim kundër gjobës së shqiptuar dhe i njëjti rast pritet që të zhvillohet në procedurë të rregullt.

Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com Jeton Vorfi po akuzohet se pas dorëzimit të mandatit si asamblist, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Aktakuza thotë se që nga 27 qershori 2019 deri me 27 korrik 2019, në cilësinë e ish-këshilltarit komunal në Gjakovë, Vorfi nuk e kishte bërë deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh pas dorëzimit të mandatit si asamblist.

Në aktakuzë thuhet se ky deklarim është i paraparë për të gjithë zyrtarët publikë dhe të njëjtit përfshirë edhe Jeton Vorfin janë të informuar për obligimin e deklarimit të pasurisë.