Gjykimi i Ndue Lleshajt dhe Agnesa Dreshajt - Foto: KALLXO.com

Gjakovë, aktakuza: Të akuzuarit përgatitën planin dhe ia grabitën të dëmtuarit paratë

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj, të akuzuar se ia kanë grabitur 185 euro A. B., sot planifohej të ballafaqoheshin me disa dëshmitarë në Gjykatën e Gjakovës.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, i ndihmuar nga gjyqtarët Shaqir Zika dhe Myfera Hoxha, me kërkesë të avokatit të të akuzuarës, vendosën që seanca të mos mbahej dhe seancën e radhës e caktuan për më 19 tetor.

Kjo shtyrje u bë për shkak se mbrojtësi i të akuzuares Agnesa Dreshaj, avokati Ndrec Dodaj, ka kërkuar nga Gjykata që kjo seancë të shtyhet sepse ai gjendej në një seancë të vrasjes në Ferizaj.

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Agnesa Dreshaj dhe Ndue Lleshaj në bashkëkryerje në dhjetorin e vitit 2019 në Gjakovë i kanë grabitur para A. B.

Aktakuza thotë se e akuzura Agnesa Dreshaj me të dashurin e saj të mitur, A. B., kishin planifikuar që ta thërrisnin të dëmtuarin A. B. në banesën e saj. I dëmtuari kishte shkuar dhe në tavolinë kishte vendosur adapterin e telefonit dhe një prezervativ. Ai i kishte kërkuar të akuzuares marrëdhënie seksuale.

Në aktakuzë thuhet se pastaj e akuzuara Agnesa Dreshaj përmes telefonit kishte njoftuar të dashurin e saj A. B., i cili sipas marrëveshjes paraprake qëndronte në një local së bashku më të akuzuarin Ndue Lleshaj. I mituri A. B. me vete kishte shufër prej gome dhe bashkë me Ndue Lleshajn hynë në banesë.

Aktakuza thotë se ata i janë drejtuar të dëmtuarit A. B. me fjalët: “Kush jeni ju?”, e më pas e kapin për krahu, e kontrollojnë dhe nga xhepi i pantallonave i marrin 185 euro dhe që të tre e shoqërojnë të dëmtuarin deri afër një hoteli dhe i drejtohen me fjalët: “Nëse rastin e paraqet në Polici, kena me të gjetë ku je e ku s’je”.

(Lajmi është edituar më datë 03.04.2021 te emri i të dëmtuarit për arsye të mos riviktimizimit të tij)