Gjakovë, 7 aktakuza për zgjedhjet e 6 tetorit

Prokuroria e Gjakovës tha të enjten se janë ngritur shtatë aktakuza kundër shtatë personave të dyshuar për cenim të fshehtësisë së votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

“Më 31 tetor 2019 Prokuroria e Gjakovës, ka ngritur shtatë aktakuza kundër shtatë personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i Prokurorisë tregon se personat e dyshuar për këtë vepër penale janë: L.G., A.H., E.Ll., B.J., Xh., K.N., B.H.

“Më 06.10.2019, nëpër qendra të ndryshme të votimit, në Gjakovë e Rahovec, derisa ka qenë duke u zhvilluar procesi i votimit, të dyshuarit e lartcekur kanë cenuar fshehtësinë e votimit, duke e fotografuar fletëvotimin me telefonat e tyre personal”- thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtët persona kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë.

Dy prokurorët e rasteve, i kanë propozuar gjykatës që të pandehurit L.G., A.H., E.Ll., B.J., Xh., K.N., B.H.,  të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.