Foto: Kallxo.com

Gjakovari deklarohet i pafajshëm për marihuanë e heroinë

Jetmir Kurhasku, i akuzuar për blerje e shitje të narkotikëve, u deklarua i pafajshëm në gjykatën e Gjakovës për akuzat të cilat e rëndojnë.

“Deklarohem i pafajshëm”, tha ai pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Kurhasku, avokati Besnik Haxhijanuzi, tha se pafajësia e tij do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa gjyqtari Shaqir Zika, caktoi datën 19 gusht për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Sipas aktakuzës, afër spitalit Isa Grezda në Gjakovë, gjatë bastisjes nga policia, Jetmir Kurhaskut i është gjetur një qese e mbushur me marihuanë dhe tetë qese heroinë.

Aktakuza thotë se edhe në shtëpinë e tij i është gjetur një substancë në formë guri e llojit heroinë.

Këto veprime kanë ndodhur në prill të këtij viti ku në tërësi janë konfiskuar 1.30 gram marihuanë dhe

1.02 gram heroinë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës.