I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Gazetari britanik do dëshmojë në gjykimin ndaj të akuzuarit për masakrën në Krushë të Vogël, Darko Tasiq

Dëshmia e gazetarit britanik Johnw Sweeney, planifikuar të dëgjohej sot në gjykimin për krime lufte ndaj Darko Tasiq, është caktuar për ditën e nesërme.

Kjo sepse dëshmitari Sweeney, sot është nisur nga Kanada për në Kosovë dhe nesër do të jetë i gatshëm për dhënien e deklaratës së tij.

Këtë e konfirmoi gjykatësi i rastit, Artan Sejrani.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 bashkë me familjen e tij kishte jetuar në Krushë të Vogël, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen “Hajdari” në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me bashkëkryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

 

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë