Gabimi i emrit në ftesë, shtyhet gjykimi ndaj Flurim Gallopenit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Seanca ndaj ish-drejtorit të ish-fabrikës “Anthea”, Flurim Gallopeni, ka filluar rishtas në Gjykatën e Prizrenit.

Gallopeni, po akuzohet se duke qenë drejtor i fabrikës “Anthea”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, dhe i ka shkaktuar dëme bashkinvestitorëve Italianë.

Rasti ndaj të akuzuarit Gallopeni, është për të tretën herë në rigjykim.

Seanca e sotme filloi me leximin e aktakuzës dhe i akuzuari deklaroi se nuk ndjehet fajtor për veprën të cilën e ngarkon Prokuroria.

Ndërkaq, në shqyrtim gjithashtu u bë e ditur se  nuk prezanton e dëmtuara Michale Luvalle, për të cilën u konstatua se Gjykata kishte pranuar shkresën nga Ambasada në Romë me konstatimin se sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë në Itali, pas të gjitha verifikimeve të bëra në regjistrat dhe data bazat, personi në fjalë Michaela Luvalla nuk ishte e njohur dhe rezultati ishte negativ.

Lidhur me këtë, i akuzuari Gallopeni nga Gjykata kërkoi që të shikojë dhe të verifikohet se a është shënuar në mënyrë të saktë emri dhe mbiemri i të dëmtuarës Michaela.

Pas kësaj, me shikimin e shkresave nga ana e të akuzuarit Flurim Gallopeni, vërtetohet se në kërkesën e dërguar në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me prezencën e dëshmitares së lartcekur emri i saj nuk ishte shënuar në mënyrë të saktë.

Prokurori Metush Biraj lidhur me lëshimin e cekur deklaroi se pasi nga dokumenti – fotokopja e pasaportës del se në kërkesën e Gjykatës, gabimisht është shënuar emri dhe mbiemri i të dëmtuarës, në vend të Michaela Luvalle është dashur të jetë Micaela Iuvale, prokurori e konsideron të nevojshme që edhe njëherë të ftohet dëshmitarja.

“Duke pasur parasysh rekomandimet e Gjykatës Supreme, Prokuroria e konsideron të nevojshme që edhe njëherë të lëshohet kërkesa për ftesën e të dëmtuarës përmes Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi prokurori Biraj.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, theksoi se duke patur parasysh rekomandimet e Gjykatës së Apelit dhe Supremes, si dhe pas vërejtjeve të konstatuara ku kanë qenë gabimet teknike lidhur me emrin dhe mbiemrin e të dëmtuarës, merr vendim që edhe njëherë të dërgohet ftesa për të dëmtuarën pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkesës t’i bashkëngjitet edhe fotokopja e pasaportës së të dëmtuarës Micaela Iuvale.

Seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u caktua për datën 28 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës, Flurim Gallopeni akuzohet se duke qenë drejtor i fabrikës “Anthea”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i dëmtuar bashkinvestitorët Italianë.

Nga Prokuroria, Gallopeni akuzohet se nga shtatori 2011 e deri në janar 2012, në cilësinë e personit zyrtar i tejkalon autorizimet e tij, me qëllim të shkaktimit të dëmit të Micaela Luvale dhe Petene Rogore, nga depoja e fabrikës ka larguar në mënyrë kundërligjore mallin, maska për karnavale, dhe me këtë i shkakton bashkinvestitorëve dëm në vlerë prej 14,319 euro.

Historiku i rastit

Më 11 nëntor 2013, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Gallopeni dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, mirëpo më 21 nëntor 2014,  ky aktgjykim ishte prishur nga Gjykata e Apelit me arsye se nuk ishte vërtetuar drejtë gjendja faktike.

Gjykata, pas rigjykimit të rastit, më 19 nëntor 2015, sërish e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Gallopeni, por kësaj radhe e kishte dënuar me burgim me kusht prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari brenda dy vjetësh nuk do të kryente vepër të re penale.

Aktgjykimin e dytë e ka vërtetuar edhe Apeli, duke refuzuar si të pabazë kërkesën e mbrojtjes për prishjen e vendimit dhe kërkesën e organit të akuzës për rritjen e dënimit.

Por, duke u bazuar në ankesën e avokatit mbrojtës, për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme, më 22 gusht 2016, kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të Apelit, duke urdhëruar që rasti të kthehet sërish në shkallë të parë për rigjykim.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata në rastin konkret është përballur më dy ekspertiza financiare të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën, pasi që njëra konstaton dëm dhe keqpërdorim të shumës prej mbi 14 mijë euro të të akuzuarit, ndërsa tjetra thotë se nuk ka fare dëm.

Andaj, Supremja ka rekomanduar që në rigjykim të bëhet një super-ekspertizë, e cila do të vendosë rreth kundërthënieve të dy ekspertizave të para dhe do të vërtetojë nëse ka apo nuk ka keqpërdorim të mjeteve materiale nga i akuzuari në fjalë.

Në shkurt 2017, Gjykata e Prizrenit, kishte parashtruar kërkesë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës për të kryer super-ekspertizën financiare, por ky institucion vetëm më 28 shtator 2017, kishte kthyer përgjigje se nuk kishin mundur të bëjnë ekspertizën.

Në seancën e 11 nëntorit 2017, trupit gjykues kishte vendosur që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë financiarë që gjenden në listën e ekspertëve të gjykatës.

Pas pranimit të super-ekspertizës, më 1 mars 2018, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ku i akuzuari ka dhënë mbrojtjen e tij dhe janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Më 2 mars të vitit 2018, Gallopeni ishte shpallur sërish fajtor dhe ishte dënuar me një vit burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh, që të mos kryente vepra tjera penale, por që edhe për herë të tretë ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka rekomanduar që të bëhet dëgjimi dhe ballafaqimi i të dëmtuarës Micaela Iuvale, me të akuzuarin Gallopeni.