Gabimet "amatore" të gjykatave që liruan kundërligjshëm dy punëtorët e KEDS-it për marrje ryshfeti

Dy instancat gjyqësore, Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit kanë gabuar kur i kanë liruar nga akuza për marrje ryshfeti dy punonjësit e KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaçi. Kështu konstatohet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Aktgjykimi i instancës më të lartë gjyqësore në vend, Gjykatës Supreme tregon për një mori shkeljesh në aktgjykimet e gjykatave më të ulëta e të cilat po të mos ndodhnin dy të akuzuarit do duhej të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin sipas ligjit.

Shkeljet e konstatuara nga Gjykata Supreme tregojnë për gabime “amatore” të gjyqtarëve në trajtimin e këtij rasti.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë i kanë konsideruar si masa të fshehta teknike të hetimit edhe video-incizimet të cilat ishin marrë nga dy objektet publike, përkatësisht pamjet e kamerave të një barnatore dhe një hoteli që ndodheshin në afërsi të vendit ku pretendohet se kishte ndodhur afera korruptive.

“Që të dy gjykatat gabimisht kanë vlerësuar se bëhet fjalë për masën fotografimi i fshehtë ose vëzhgimi me video në vende publike pasi nuk bëhet fjalë për zbatimin e kësaj mase ngase video-incizimet janë marrë nga dy objektet në afërsi të vendit të ngjarjes, nga barnatorja “Kushtrimi” dhe Hotel “Mergimi”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Këto pamje, së bashku me masën e simulimit të veprës së korrupsionit ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata e Pejës pasi prokurorja e krimeve të rënda në Pejë, Sahide Gashi, nuk e kishte konfirmuar urdhrin për simulim në gjykatë brenda 3 ditëve siç e përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Mirëpo aktgjykimi i Supremes bën me dije se pamjet e kamerave në objektet publike nuk mund të konsiderohen si masa të fshehta nëse nuk vendosen nga Policia e Kosovës me urdhër të prokurorit për një rast konkret.

“Këto video nuk kanë mundur të jenë pjesë e vëzhgimit të fshehtë sepse incizimet janë bërë në baza ditore nga kamerat e vendosura nga pronaret e objekteve në fjalë. Pra kamerat nuk janë vendosur nga policia me urdhër të Prokurorisë dhe si të tilla gabimisht janë vlerësuar se janë pjesë e hetimit të fshehtë”, thuhet në aktgjykim.

Tutje Supremja konstaton se të dy gjykatat me të ulëta kanë dështuar të japin arsyetim ligjor se pse nuk i kanë besuar dëshmisë së të dëmtuarit dhe se i vetmi arsyetim i të dy shkallëve për lirimin e të akuzuarve ishte dështimi i prokurorisë për të konfirmuar urdhrin verbal në gjykatë.

Supremja përfundon se të dy shkallët e kanë shkelur ligjin në të mirë të të akuzuarve pasi ka pasur prova të mjaftueshme që të njëjtit të shpalleshin fajtorë.

Dy zyrtarët e KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaçi, ishin liruar në maj të vitit 2021 nga akuza për marrje ryshfeti.

Trupi gjykues, i cili drejtohej nga gjyqtari i krimeve të rënda, Sami Sharraxhiu, kishte vlerësuar se nuk është provuar që të njëjtit kanë marrë ryshfet pasi prokuroria nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore lidhur me urdhrin për simulim.

Bekim Thaçi dhe Gëzim Gashi akuzoheshin se kanë marrë 200 euro ryshfet nga i F.U, pasi atij i kanë bërë presion me arsyen se është duke shpenzuar shumë energji elektrike.

Thaçi dhe Gashi sipas prokurorisë kishin shkuar në shtëpinë e F.U, dhe i kishin bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar i kishin kërkuar shumën prej 200 eurove.

Aktakuza përshkruan se pasi i ishin kërkuar paratë,  F.U kishte shkuar në polici dhe kishte paraqitur rastin nga ku më pas i kishte marrë paratë dhe të dy të akuzuarve pas takimit ia jep shumën prej 100 eurove.

Të dy të akuzuarit ishin arrestuar menjëherë pasi i kishin futur të hollat nën karrigen e shoferit.

Dy zyrtarët e KEDS lirohen nga akuza për marrje ryshfeti