Gani Dreshaj, AAK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Fjalia kërcënuese që e dënoi Gani Dreshajn

“Kom me ta prishë fytyrën”, kanë qenë fjalët të cilat dyshohet t’i ketë thënë deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj në drejtim të deputetit të LDK-së, Arben Gashit gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit të kaluar.

Këto fjalë, sipas Prokurorisë në Prishtinë, ishin thënë nga Dreshaj në momentin kur Gashi ishte sulmuar nga kolegu i tij deputet, Xhavit Haliti i PDK-së, përderisa ky i fundit kishte dalë nga kabina e votimit në sallën e Kuvendit dhe po shkonte për ta hedhur fletëvotimin në kuti.

Këto fjalë sipas Prokurorisë janë thënë në seancën e 5 majit 2018, në të cilën përpos këtyre fjalëve kishte pasur edhe sulm ndaj deputetit Arben Gashi.

Më shumë se një vit i ishin dashur Prokurorisë së Prishtinës që të paraqiste aktin akuzues ndaj dy deputeteve të Kuvendit të Kosovës pas ngjarjes së majit të vitit të kaluar.

Akuza e Prokurorisë e ngarkonte Xhavit Halitin për sulm ndaj deputetit Arben Gashi.

Sipas aktakuzës kryetari i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti dyshohet se e kishte qëlluar me bërryl në gjoks deputetin tjetër nga Peja, Arben Gashin.

Akuzës së prokurorisë nuk i shpëtoi as deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.

VIDEO – Përleshje mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend

Dreshaj u akuzua nga Prokuroria për veprën penale “Kanosje”, pasi dyshohet se e kishte kërcënuar Arben Gashin me fjalët “Kom me ta prishë fytyrën”.

136 ditë nga koha e ngritjes së aktakuzës i ishin dashur Gjykatës së Prishtinës t’i shpallë fajtorë Halitin dhe Dreshajn.

Më 14 tetor 2019, gjykatësi Kushtrim Shyti i dënoi me nga 1250 euro gjobë dy deputetët e Kuvendit.

Aktakuzë ndaj Halitit e Dreshajt për sulmin – kanosjen ndaj deputetit të LDK-së

Këtë shumë Dreshaj dhe Haliti detyrohen ta paguajnë brenda 15 ditësh nga arritja e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Vepra penale për të cilën u shpall fajtor Xhavit Haliti, është e dënueshme me burgim deri në 3 vite ose me dënim me gjobë, ndërsa ajo për të cilën u shpall fajtorë deputeti Dreshaj dënohet me 6 muaj burgim ose me dënim me gjobë.