Fillon seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nën dyshimin për fajde nga aksioni 'Milioni' në Prizren dhe Suharekë - FOTO
Gjashtë të arrestuarit nën dyshimin për fajde janë sjellë para Gjykatës së Prizrenit.
Ndaj tyre pritet të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.
Aksioni i djeshëm (31.10.2024) i Policisë së Kosovës kundër fajdesë dhe detyrimit rezultoi me arrestimin e 6 personave dhe sekuestrimin e 6 njësive banesore dhe lokaleve afariste, 5 automjeteve, 5 armëve me municion, kontratave, parave, provave digjitale e të tjera.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarve u janë bllokuar edhe llogaritë bankare.
Operacioni u krye në 6 lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit dhe të Suharekës me urdhër-kontroll të Gjykatës.
“Të dyshuarit në këtë rast me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës” – thuhet në raport.
Vlera e përfituar përmes këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë është mbi 1 milion euro, në formë të parave, pronave të paluajtshme e të luajtshme si formë e interesit nga fajdeja.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë në mbajtje pas arrestimit të djeshëm.