Prokuroria Themelore në Pejë

Fillon procedura disiplinore ndaj prokurores që ka përfaqësuar rastin e dhunimit të 15-vjeçares

Kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj, ka filluar procedurën disiplinore ndaj prokurores që ka përfaqësuar rastin e dhunimit të të miturës, ku i akuzuari u dënua me 8 muaj e 8 ditë burgim.

Për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina ka njoftuar Prokuroria e Pejës.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik lidhur me çështjen penale PP.nr.68/12, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, paragrafi 3 i KPK-së, se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës, konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores, e cila ka përfaqësuar këtë lënd”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurorja Morina nuk ka parashtruar ankesë ndaj dënimit të të akuzuarit prej 8 muaj e 8 ditë burgim, andaj vendimi i Gjykatës ka marrë formën e prerë.

Sipas aktgjykimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, në fjalën përfundimtare prokurorja Lirije Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj Gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.