Ferizajasi nuk e pranon akuzën e Prokurorisë se mbanë të uzurpuar pronën e serbit

Asllan Veseli, i akuzuar për pushtim të paligjshëm të pronës së paluajtshme në pronësi të Krsto Vujoviq, ka dalë sot para Gjykatës së Ferizajt.

Gjyqtarja e rastit Hysnije Gashi theksoi se kjo lëndë është tentuar të shkojë në ndërmjetësim, por pala e dëmtuar nuk është pajtuar. Edhe në këtë seancë gjyqtarja i pyeti palët se a dëshirojnë të shkojnë në ndërmjetësim dhe të pajtohen, por prapë pala e dëmtuar Krsto Vujoviq nuk u pajtua.

I akuzuari Asllan Veseli në fjalën e tij mbrojtëse tha se palën Krsto Vujoviq nuk e ka njohur më parë.

“Këtë zotërinë e kam njohur tani në gjykatë dhe më herët nuk e kam njohur, si dhe nuk e kuptoj se përse ai më akuzon mua se ia kam uzurpuar tokën. Ashtu si e kam lënë e kam gjetur kur kam ardhur prej Zvicrës, si dhe nuk e kam penguar ta shes atë pronë”, tha i akuzuari Veseli.

I akuzuari gjithashtu tha se vëllai i tij e ka bërë pazar pronën me të dëmtuarin, por nga disa mosmarrëveshje që ata kishin pasur kishte mbetur puna prishur.

I dëmtuari Krsto Vujoviq e pyeti të pandehurin se përse nuk po i lejon blerësit të blejnë pronën  e tij.

I pandehuri iu përgjigj se nuk e di se për çfarë e ka fjalën, pasi që kjo nuk është e vërtetë dhe se sipas tij asnjëherë nuk është pyetur nga ndonjëri se dëshiron ta blej atë tokë.

Gjykatësja Gashi e ndërpreu seancën për shkak se në atë kohë i pandehuri dhe i dëmtuari kishin seancë tek gjykatësi Bekim Salihu në departamentin civil, si dhe gjyqtari Bekim Salihu njoftoi se palët do të dalin në teren dhe të shohin parcelën.

Sipas prokurorisë Asllan Veseli akuzohet se me datë 23.03.2012 në kohë të pacaktuar në Ferizaj, në rrugën VII Korriku nr. 14,  në mënyrë të kundërligjshme ka pushtuar pronën e paluajtshme, oborrin, parcelën kadastrale me sipërfaqe 00,03.38 ha e cila gjendet në zonën Kadastrale në Ferizaj, pronë e të dëmtuarit Krsto Vujoviq nga Prishtina me vendbanim të përkohshëm në Beograd. Këtë paluajtshmëri sipas prokurorisë i pandehuri Asllan Veseli e shfrytëzon kundërligjshëm në vazhdim nga viti 1999.