Ferizaj, sot pritet të del para gjykatësit i akuzuari për shkaktimin e aksidentit me 5 të vdekur në Koshare

Prokuroria Themelore në Ferizaj, javën e kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj Erton Musliut, pasi i njëjti, tani po akuzohet se e ka shkaktuar aksidentin në Fshatin Koshare të Ferizajt ku kishin vdekur 5 persona.

E lidhur me këtë akuzë, sot në Gjykatën e Ferizajt pritet të nis gjykimi ndaj tani të akuzuarit Erton Musliu.

Seanca ndaj tij pritet të mbahet sot në Gjykatën e Ferizajt me fillim nga ora 10:00.

Kujtojmë se nga paraburgimi, Gjykata e ka dërguar në arrest shtëpiak të akuzuarin për shkaktimin e aksidentit në fshatin Koshare të Ferizajt, të ndodhur më 6 qershor 2021, ku kishin vdekur 5 persona. Të vdekurit e këtij aksidenti ishin anëtarë të një familjeje.

E lidhur me këtë në Shtime, javën e kaluar ishte mbajtur edhe një protestë paqësore ku kërkohej drejtësi për viktimat e aksidentit.

Erton Musliu, sipas Prokurorisë me 6 qershor në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare Komuna e Ferizajt, i akuzuari duke drejtuar automjetin e “Audi A8”, me dashje eventuale shkel ligjin për rregullat e trafikut rrugorë, dhe duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vij të plotë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë, veturë kjo që ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, dhe në këtë aksident në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë katër persona ndërsa personi i pesë vdes disa ditë më vonë në QKUK në Prishtinë.

Sipas aktit akuzues, në këtë aksident lëndime kanë pësuar edhe dy persona tjerë.

KALLXO.com ka raportuar edhe në vazhdimësi për këtë rast:

Dosja e Prokurorisë: I akuzuari për aksidentin ku vdiqën 5 persona, mund të dënohet deri në 12 vjet burgim