Ferizaj: Dy vëllezër akuzohen për djegie të viktimës pas vrasjes

Natën e 8 dhjetorit të 2019, Shkodran Bytyqi ishte vrarë me një plumb pas koke, trupi i tij ishte hedhur në përrockë dhe më pas i ishte vënë zjarri.

Për këtë ngjarje të rëndë Prokuroria e Ferizajt po akuzon dy vëllezërit T.L., dhe D.L., i pari për vrasje të rëndë i dyti për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

I akuzuari T.L., sipas aktakuzës me datë 8 dhjetor rreth orës 18:00 në fshatin Surqinë ka qëlluar viktimën Shkodan Bytyqi në pjesën e pasme të kokës me revole duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Ndërsa aktakuza e Prokurorisë thotë se vëllai D.L., në mënyrë që ta ndihmojë vëllain e tij, marrin trupin e të ndjerit Shkodran Bytyqi dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapolë, dhe e hedhin në një përrockë me qëllim që ti fshehin provat e veprës penale.

Më vonë i akuzuari T.L., shkon në një pompë të benzinës për të blerë benzin dhe kthehet përsëri në vendin ku kishin hedhur trupin e të ndjerit, dhe  spërkat me benzin dhe i vë flakën, ndërsa vëllai D.L. akuzohet për veprën penale ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Gjithashtu, Prokurori i Shtetit i ka propozuar  Gjykatës që të konfiskohet arma me të cilën është kryer vrasja si dhe vetura e markës “Porsche Panamera”, e cila ka mundësuar në kryerjen e veprës penale.

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ kishte transmetuar rrëfimet ekskluzive se si kishte ndodhur vrasja e 32 vjeçarit Shkodran Bytyqi nga Ferizaj.

“Dhe e kam qëlluar këtu pas kokës”, kishte thënë i dyshuari, ndërsa në pyetjen e prokurorit se sa herë ka qëlluar ai u përgjigj shkurt: “Veç një herë”, kishte thënë i dyshuari T.L., para prokurorit të rastit me rastin e marrjes në pyetje.

Trupi i viktimës u gjet i djegur 4 ditë me vonë në fshatin Kishnapole të Gjilanit.