Ferizaj: 12 vjet burg për vrasjen e vitit 2004 para dyerve të oborrit

Gjykata e Ferizajt i ka shqiptuar 12 vjet dënim me burgim të akuzuarit me iniciale H.S., për veprën penale të vrasjes, ndërsa është liruar nga akuzat për vrasje të rëndë.

Sipas njoftimit të Gjykatës ngjarja ka ndodhur me datë 21 tetor të vitit 2004 në Ferizaj në rrugën “Astrit Bytyqi”.

“Derisa i ndjeri SH.N. ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, para dyerve të oborrit nga arma e tipit të panjohur, i akuzuari H.S., ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

I akuzuari H.S. akuzohet se e kishte goditur viktimën me armë një herë në krahun e majtë, një herë në anën e djathtë të fytyrës, dhe një herë në pjesën e sipërme të ballit, nga të cilat plagë të marra SH.N., vdes në vendin e ngjarjes.

I akuzuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por në afërsi të trupit të viktimës i kishin mbetur portofoli me dokumente personale.