Foto: Kallxo.com

Faton Dalladaku komenton dënimin e Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit

Faton Dalladaku, në cilësinë e të dëmtuarit në procesin gjyqësor për mashtrim ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit e ka mirëpritur vendimin e gjykatës së Prishtinës që t’i shpallë fajtorë dy të akuzuarit por është shprehur i pakënaqur me masën e dënimit ndaj tyre.

“E mirëpres vendimin e gjykatëë por nuk jam i kënaqur me dënimin sepse grupi i tyre janë mire i organizuar”, tha Dalladaku pas përfundimit të seancës në të cilën gjykata shpalli verdiktin.

Gjykata e Prishtinës i ka dënuar Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

Dalladaku tha se do të ankohet ndaj këtij vendimi.

“Megjithatë unë do ta ndjek të drejtën në rrugë ligjore për të atakuar me ankesë dënimin. Gjithsesi kam kërkuar që të sekuestrohet pasuria e krijuar e tyre”, u shpreh ai.

Faton Dalladaku. Foto: Kallxo.com

“Dëmi im është jo vetëm material por edhe moral. Unë besoj në organet e drejtëisë, sepse nuk ka mundesi për t’u kontestuar provat e këtij gjykimi”, tha mjeku kosovar.

Sipas aktakuzës, për ta mashtruar Dalladakun, të akuzuarit Hashimi e Rexhepi kanë përmendur lidhjet që ata pretendonin se kishin me Kadri Veselin e Xhavit Halitin, kryetarin, respektivisht nënkryetarin e PDK-së.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Dënohen Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve. Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga gjyqtarja e vetme gjykuese, Medie Bytyqi, pranë Departamentit të Përgjithshëm, Divizioni Penal.

Ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja e shtetit, Rukije Sheshivari.