Ilustrim

Rriten dënimet për grupin e Fajdeve të Prizrenit

Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimet në rastin e njohur “Kristal”, njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Të akuzuar në këtë rast janë Tunë, Marjan, Gjekson, Gëzim, Kastriot e Gjon Kqira, Besfort Omaj dhe Benson Buza, të akuzuar për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat penale organizim i skemave piramidale dhe bixhoz te paligjshëm, detyrim, fajde, armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prizrenit me 24 maj 2019, kishte marrë aktgjykim dhe të akuzuarit i kishte dënuar me burgim dhe dënime me gjobë për vepra penale organizim i skemave piramidale, detyrim, fajde ndërsa ishin liruar për vepra penale të krimit të organizuar dhe shpërlaje të parasë.

Që nga 9 shtatori i vitit 2019 lënda ka qenë në Gjykatën e Apelit në shqyrtim.

Gjykata e Apelit pas më shumë se 200 ditëve ka marrë aktgjykim dhe ka ndryshuar pjesën liruese të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, ashtu që të akuzuarit janë shpallur fajtor nga ane e Gjykatës së Apelit për veprat penale “Detyrim“ dhe “Fajde“.

Gjithashtu Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë edhe për veprat penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtor.

Kështu Gjykata e Apelit të akuzuarit Tunë Kqira i ka shqiptuar dënim unik prej 7 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë, të akuzuarit Kastriot Kqira dënim prej 5 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë, të akuzuarit Gjon Kqira dënim prej 5 vite e 6 muaj burgim dhe 15 mijë euro gjobë, të akuzuarit Marjan Kqira i është shqiptuar dënim prej 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Benson Buza i është shqiptuar dënim prej 5 vite burgim dhe 25 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Besfort Omaj i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh për shkak të veprës penale detyrim.

Ndërsa lidhur me veprën penale “Shpërlarje e parave“ çështja i është thyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit të akuzuarve Tunë Kqiran, Kastriot Kqira, Gjon Kqira, Benson Buza, dhe Besfort Omaj, i ka caktuar masën e paraburgimit,  e cila masë do  t ‘iu llogaritet  nga data e arrestimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Gjatë gjykimit përballje te prokurores Merita Bina – Rugova me kryetarin e trupit gjykues gjyqtarin Xheladin Osmani kanë qenë të shpeshta, duke kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtari Osmani.

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!