
Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij në Hagë | Foto: 22.10.2024
Fadil Geci përballet me pyetjet e Prokurorisë Speciale në Hagë
Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka vazhduar dëshminë dëshmitari Fadil Geci, që ka nisur dëshminë të hënën, më 21.10.2024.
Në fillim të seancës, Fadil Geci u përballë më disa pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e ku njëra nga këto ishte se kur ishte kyçur Sabit Geci në UÇK.
“Përafërsisht ka qenë në burg, i dënuar për një aksident komunikacioni, në 97 menjëherë si u dal prej burgu, është kyçur.” – ishte përgjigjja e dëshmitarit Geci.
ZPS gjatë seancës i shfaqi në ekran disa fotografi të cilat kishin të bëjnë me identifikim e Rexhepit Selimit dhe anëtarëve të tjerë të UCK-së që kanë të bëjnë me llojet e uniformave dhe llojet e ndryshme të armëve dhe pajisjeve të tjerat, për të cilat kërkoi të pranohen në prova dhe të njëjtat u pranuan nga trupi gjykues.
Në lidhje me deklaratën e që Fadil Geci kishte thënë që “Ata që kanë shkruar komunikatën 59 duhet me iu bo analiza e gjakut dhe si rezultat, ata do të dalin që nuk janë dot shqiptarë”, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi nga Geci sqarime shtesë.
“Çfarë keni dashur të thoni lidhur me këtë”- ishte pyetja e ZPS drejtuar Fadil Gecit?
“Është i qartë, ai shqiptar që na ka njohur mirë kush jem, na e ka shkru komunikatën 59, mundet me qenë tylifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Nuk besoj që është brena shqiptar, në zemër edhe në gjak”- ishte përgjigjja e dëshmitarit Fadil Geci.
Prokuroria e pyeti Fadil Gecin nëse i ka treguar Ramë Buja se me kë ka biseduar lidhur me komunikatën 59.
“Më ka thënë që kemi biseduar në shtab, por më ka thënë që kam pasoja edhe unë pse kam folur për ju, bile më thotë se unë kam hangor plumb, pse ju kam mbrojtur juve. Ju keni pasur të drejtë edhe ju mirë na e keni bo, se keni pasur të drejtë” – tha Geci.
ZPS përfundoi pyetjet të cilat kishte ndaj këtij dëshmitari, seanca tutje po vazhdon me pyetjet e avokatit Luka Mishetiq i cili është mbrojtësi i Hashim Thaçit.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.
Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi,James Pace, Charls Smith III, Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.