Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Pretendimi i pambështetur për rënien e besueshmërisë së gjykatës

Platforma online Rajoni Press 8 qershor 2024 (arkiva) ka publikuar një artikull me të cilin pretendon se besueshmëria e Gjykatës së Gjilanit ka rënë.

Artikulli mbështetet në dy intervista me qytetarë dhe përmban disa konstatime të cilat nuk janë verifikuar.

Materiali i publikuar pretendon se kryetari i Gjykatës po i amniston gjyqtarët të cilët i ka në mbikëqyrje duke aluduar në disa raportime për sjelljet e gjyqtarëve të kësaj gjykate.

Në verifikimet e raportimeve për këtë kohë verifikuesit e fakteve kanë nxjerrë në pah se për këtë gjykatë është raportuar për gjykatësin Veli Kryeziu.

Verifikuesit kanë kërkuar informacione nëse ndaj këtij gjykatësi janë zhvilluar procedura disiplinore nga kryetari.

Nga një hulumtim i thjeshtë i rasteve të gjyqtarëve që janë dërguar në procedura disiplinore del se  kryetari i Gjykatës së Gjilanit ka inicuar procedurat ndaj gjykatësit në fjalë.

Në faqen e KGJK-së ku publikohen vendimet disiplinore kërkuesit mund të gjejnë lehtësisht procedurën ndaj këtij gjykatësi.

Aty shkruhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 30.06.2024 ka marrë vendim ndaj gjyqtarit Kryeziu duke i shqiptuar masën e zvogëlimit të rrogës për 30% brenda periudhës kohore prej gjashtë muajve.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (tutje si “Këshilli”) më datë 24 tetor 2023, ka pranuar nga Autoriteti Kompetent kërkesën me numër ***, për fillimin e hetimit disiplinor ndaj Veli Kryeziut, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Gjilan, me pretendimin se i njëjti mund të ketë kryer shkelje disiplinore”- thuhet në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Verifikuesit kanë konstatuar se për gjykatësin Veliu kishte edhe raportime të tjera në media për një aferë tjetër.(LINK)

Verifikuesit e fakteve kanë kërkuar informacione se çka ka ndodhur me këto raportime dhe sa masa disiplinore janë ndërmarrë ndaj gjykatësve të kësaj gjykate.

Në një përgjigje me shkrim, kryetari Venhar Salihu ka ofruar të dhëna për rastet disiplinore.

“Sa i përket rasteve për gjyqtarin Veli Kryeziu, tre raste i kam procedu, ku për 2 raste ka masa disiplinore, kurse i treti është në procedurë. Gjatë këtij viti kam proceduar edhe për katër gjyqtarë tjerë për shkelje të mundshme disiplinore, ku ka raste edhe sipas detyrës zyrtare”- ka thënë për Krypometër Venhar Salihu.

Kryetari i Gjykatës së Gjilanit ka shtuar se lidhur me artikullin e postuar nga ky portal tashmë ka ushtruar ankesë edhe në KMSHK.

“Kurse sa i përket këtij artikulli, kemi reaguar e në të njëjtën kohë edhe ankesë kemi paraqitur, ku Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën”- shtoi tutje Salihu.

Raporti i Rajoni Press pretendon se besueshmëria e qytetarëve në gjykatë ka rënë.

Organizata  Demokraci Plus e cila ka anketuar rreth 1078 qytetarë të cilët janë përdorues të gjykatave të Kosovës. Në mesin e pyetjeve të cilat përfshijnë edhe Gjykatën e Gjilanit janë pyetjet se sa janë të kënaqur me gjykatën. Kjo anketë vë në pah se rreth 60% e të anketuarve janë deklaruar se janë trajtuar fer nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit, ndërsa një përqindje prej më pak se 5% kanë thënë që janë trajtuar jo fer nga gjyqtarët e kësaj gjykate, kurse vetëm 35% janë deklaruar se deri në një masë ndihen të trajtuar mirë nga gjyqtarët.

“Në vitin 2023, ka një rritje të dukshme në perceptimin rreth korrupsionit në të gjitha gjykatat themelore, me përjashtim të Gjykatës Themelore në Gjilan, ku ka një përmirësim modest prej 2.74%. Megjithatë, është e rëndësishme të ceket që ky ndryshim mund të atribuohet pjesërisht në riformulimin e pyetjes. Në vitin 2021, përdoruesit e shërbimeve të gjykatës ishin pyetur nëse ata personalisht kishin pasur përvoja kur u ishte kërkuar nga gjykatësit, punonjësit e gjykatës apo ndonjë ndërmjetësues që vepronte në emër të këtyre të fundit. Ndërsa, në vitin 2023, pyetja ishte ndryshuar, dhe përfshinte përvojat që u ishin treguar nga miqtë apo familjarët, duke mundësuar një interpretim më të gjerë të pyetjes”-  thotë raporti i organizatës Demokraci Plus.

Një mënyrë tjetër për të verifikuar performancën e Gjykatës së Gjilanit është faqja zyrtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Linkun  tek pjesa ku fletë për pasqyrën e performancës së Gjykatës del që Gjykata e Gjilanit për tremujorin e parë të vitit 2024 ka një përqindje prej 90.4% të efikasitetit.

Kjo shifër matet duke e marrë për bazë sa lëndë ka pranuar Gjykata në të gjitha departamentet, dhe sa prej tyre i ka zgjidhur, numri i cili rezulton të del nga llogaritja e lëndëve të pranuara dhe të kryera shumëzohet me 100 dhe marrim rezultatin në përqindje.

Për këtë periudhë kohore, Gjykata e Gjilanit ka pranuar plotë 4,743 lëndë dhe ka zgjidhur 4,287.