Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Pretendimi i pambështetur për dënimin e ulët
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha më 31.01.2024 në platformën “X” (Arkiva) kishte bërë një postim në të cilin fliste lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin e të akuzuarve në rastin e 53 milionëshit.
Basha në këtë postim kishte shkruar “Dënimi me 44 muaj burgim për 53 milionë euro është qesharak! Kjo miq i bie që 53 milionë euro dëm po lahen me 1320 ditë burg, ose ndryshe thënë, kjo i bie se 1 ditë burg për çdo 40 mijë euro dëm shtetit! TURP! Ky dënim i jep shpresë kriminelëve!”.
Ky pretendim se vetëm 44 muaj dënim me burgim janë dhënë për të akuzuarit në rastin e 53 milonëshit është i pasaktë pasi në çështjen për autostradën, gjykata shqiptoi shumë më shumë muaj burgim.
Sipas aktgjykimit, Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e 8 muaj, këshilltari politik i Pal Lekajt, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj dënim burg, sekretari i kësaj ministrie, Nebih Shatri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj dënim me burg dhe U.D. i prokurorimit publik, Besim Tahiri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj dënim me burgim.
Katër të akuzuarit, më 31.01.2024 janë dënuar me dënim me burgim plotë 10 vite e 3 muaj, që nëse përkthehet në muaj, i bie plotë 123 muaj dënim me burgim për të katërt.
Krahas dënimi me burgim të akuzuarve i ishin shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Dimal Basha tutje ka thënë se “Ky dënim i jep shpresë kriminelëve”.
Ky pretendim i tij nuk gjen mbështetje nëse i referohemi Kodit Penal të Kosovës, i cili për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare kishte paraparë si dënim maksimal dënimin me burgim deri në 5 vite.
“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar 1. Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”- thuhet në nenin 422 paragrafi 1 i kodit të vjetër penal.
Gjykata duke qenë e lidhur me këtë dispozitë dhe duke pasur obligim që të marrë për bazë rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese, ka ardhur në përfundim me dënimet të cilat i ka shqiptuar.
Pra, Gjykata vepron sipas dënimeve të cilat janë të parapara me ligje dhe asnjëherë nuk mund t’i tejkaloj ato, duke ju shqiptuar dënim me të lartë sesa e parasheh ligji.
“Kur cakton dënimin për vepër penale, gjykata duhet të ketë parasysh minimumin dhe maksimumin e dënimit të paraparë për atë vepër penale. Gjykata pastaj duhet të merr parasysh qëllimin e dënimit, parimet e përcaktuara në këtë kapitull dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese lidhur me veprën penale të caktuar ose me dënimin”- thotë neni 73 paragrafi 1 i kodit penal të Kosovës.
Gjykata në shqiptim të dënimit ka llogaritur rrethanat lehtësuese dhe rënduese për të akuzuarit. Në këtë rast për të akuzuarin Pal Lekaj si rrethana rënduese ka marrë shkallën e lartë të përgjegjësisë penale në kryerjen e veprës penale dhe përgatitjen e lartë profesionale. Rrethanë lehtësuese për Pal Lekajn gjykata e ka marrë faktin se i njëjti nuk ka qenë i dënuar me parë për vepra penale.
“Shkallën e përgjegjësisë penale që i pandehuri ka qenë përgjegjës i nivelit të lartë zyrtar –gjegjësisht i njëjti ka qenë ministër i MI, ku i pandehuri është mirë i edukuar – me përgatitje profesionale”- thuhet në arsyetimin e dënimit të këtij aktgjykimi.
Për të akuzuarin Nebih Shatri, gjykata në matje të dënimit ka marrë për bazë rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese. Si rrethanë lehtësuese për Shatrin Gjykata ka marrë për bazë faktin se i njëjti nuk ka qenë i dënuar me parë dhe sjelljen korrekte që e ka pasur ndaj gjykatës gjatë gjykimit.
“Faktin se sjella e tij gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësore ka qenë korrekte ndaj gjykatës dhe palëve në proces gjyqësor, duke respektuar edhe rendin e procedurën në gjykatore, si dhe faktin se më parë nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”- konsiderohen rrethanat lehtësuese për Shatrin nga Gjykata.
“Shkallën e përgjegjësisë penale që i pandehuri ka qenë përgjegjës i nivelit të lartë zyrtar – gjegjësisht i njëjti ka qenë sekretar i përgjithshëm i MI-së. Si sekretar i përgjithshëm i ministrisë i pandehuri N.SH, ka qenë i thirrur që të këshilloj ministrin, që të siguroj që kontratat të ministrisë të zbatohen në mënyrë efikase dhe efektive”- konsiderohen rrethanat rënduese për ish-sekretarin e Ministrisë së infrastrukturës.
Ndërsa në matje të dënimit këto llogari i ka bërë gjykata duke u bazuar në rrethanat lehtësuese dhe rënduese për ish-këshilltarin politik të Pal Lekajt, Eset Berishës.
“Shkallën e përgjegjësisë penale që i pandehuri ka qenë përgjegjës i nivelit zyrtar – gjegjësisht i njëjti ka qenë Këshilltar i lartë politik i Ministrit së Infrastrukturës, ku i pandehuri është mirë i edukuar – me përgatitje profesionale. Ka qenë i thirrur që të këshilloj ministrin, që të siguroj që kontratat të ministrisë të zbatohen në harmoni me rregullat që e rregullojnë procesin e realizimit të projektin R6 Autostrada Prishtinë – Hani Elezit”- konsiderohen rrethanat rënduese për Eset Berishën.
“Faktin se sjella e tij gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësore ka qenë e mirë ka pasur qëndrim tejet korrekt, si dhe faktin se më parë nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”- janë rrethanat lehtësuese për Eset Berishën.
Llogaritja e dënimit duke u bazuar në rrethana lehtësuese dhe rënduese është bërë edhe për të akuzuarin Besim Tahiri i cili në atë kohë kishte pozitën e Drejtor i Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Shkallën e përgjegjësisë penale që i pandehuri ka qenë përgjegjës, ku i pandehuri është mirë i edukuar – me përgatitje profesionale dhe i njëjti duke e ditur kishte marr veprim duke tejkaluar autorizimet e tij zyrtare. Si Drejtor i Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës i pandehuri B.T, ka qenë i thirrur që të siguroj që kontratat të ministrisë të zbatohen në mënyrë efikase dhe efektive” – janë marrë për bazë rrethanat rënduese për ish- drejtorin e prokurimit publik në MI.
Ndërsa si rrethana lehtësuese janë marrë sjellja korrekte gjatë seancave gjyqësore, si dhe faktin se ndaj të pandehurit është duke u zhvilluar një procedurë tjetër penale por që nuk është konsideruar si rrethanë rënduese pasi që ai proces në kohën e marrjes së aktgjykimit nuk ishte bërë i formës së prerë.
“Faktin se sjella e tij gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësore ka qenë e mirë ka pasur qëndrim tejet korrekt, si dhe faktin se për të pandehurin zhvillohet edhe një procedurë tjetër për vepër penale tjetër, por gjykata nuk e ka konsideruar si rrethanë rënduese për faktin se kjo çështje penale nuk është përfunduar me vendim të formës përfundimtare”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës.
Në fund Gjykata kishte elaboruar se dënimet të cilat kanë ndryshuar për të akuzuarit kanë qenë në proporcion me rrethanat rënduese dhe lehtësuese për secilin të akuzuar veç e veç.
“Shkallën e përgjegjësisë penale, ku varësisht pjesëmarrjes dhe rolit të të pandehurve në kryerjen e veprës penale, gjykata për disa nga të pandehur bazuar në këtë rrethanë ka shqiptuar dënim më të ashpër e për disa të pandehur dënim më të butë”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës.
Rasti tashmë është për trajtim në Gjykatën e Apelit, ku janë elaboruar ankesat e palëve në Procedurë.
Avokati i Pal Lekajt, Artan Qerkini ka paraqitur ankesë mbi katër baza ankimore duke kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij. Sipas Qerkinit aktgjykimi i themelores është kundërthënës në vetvete.
Qerkini nga instanca e dytë e gjyqësorit përmes ankesës ka kërkuar që Pal Lekaj të lirohet nga akuza ose aktgjykimi i themelores të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Ankesë ndaj aktgjykimit të Themelores ka paraqitur edhe avokati Florent Latfiaj që mbron ish-sekretarin e MI, Nebih Shatrin, ankesa është paraqitur për të gjitha bazat ankimore.
Latifaj nga Gjykata e Apelit ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza ose të anulohet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në pikën zero për rigjykim.
Për dallim nga dy të akuzuarit e lartcekur, ankesën kundër aktgjykimit të Themelores e ka paraqitur vetë i akuzuari Eset Berisha, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.
Avokati i Besim Tahirit, Urim Vokshi po ashtu ka paraqitur ankesë duke potencuar faktin se aktakuza nga prokuroria ndaj të mbrojturit të tij është ngritur pa zhvilluar fare hetime, pos marrjes së deklaratës së tij në procedurë paraprake.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të vitit 2017.
Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.
Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosot financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.