Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Pretendimi i pambështetur për çmendurinë e gjykatës

Në një postim në rrjetin social Facebook i cili ka marrë 280 reagime dhe 62 shpërndarje, opinionistja Kimete Berisha ka shpërndarë një informacion të pabazuar për procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj Glauk Konjufcës.

Opinionistja ka shkruar se “Çmenduri, Gjykata ka vendosur që Glauk Konjufca është i pafajshëm, që do të thotë se ai ka gënjyer kur ka thënë se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Pra, Glauk Konjufca duhet të gjykohet për pranim të rrejshëm të fajit”.

Verifikuesit e fakteve kanë kontrolluar nëse pretendimet në këtë postim janë të vërteta dhe nëse Gjykata mund të ndërmarrë masa për pranim të rrejshëm të fajit.

Kodi penal i Kosovës u garanton personave të cilët intervistohen në cilësinë e personave të dyshimtë që të mos deklarojnë të vërtetën. Neni 384 i kodit penal për deklaratat e rreme i amniston nga përgjegjësia personat e akuzuar të cilët japin dëshmi në gjykatë.

 “Pala, dëshmitari, eksperti në cilësi të dëshmitarit, përkthyesi apo interpreti i cili në procedurën gjyqësore ose penale, procedurën paraprake, në procedurën për kundërvajtje, në procedurën administrative, në procedurën para noterit publik ose në procedurën disiplinore jep deklaratë, ekspertizë ose raport të rremë dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një (1) vit”- thuhet në nenin 384.

Verifikuesit e fakteve kanë kontrolluar edhe rrjedhën e procedurës gjyqësore në rastin ndaj Konjufcës për të kontrolluar nëse ai ka pranuar fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës dhe nëse Prokuroria ka përdorur ndonjë deklaratë të tij për të mbështetur pranimin e fajësisë.

Qytetarët e thjeshtë munden lehtësisht  të kontrollojë tërë rrjedhën e procesit Konjufca në aktgjykimin i cili është publik në faqen e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës.

Në këtë link ndodhet aktgjykimi ndërsa pretendimet lehtësisht mund të vërtetohen në leximin e tij.

Në faqen 3 të këtij aktgjykimi konstatohet se “I akuzuari, për veprat penale që i vihen në barrë sipas aktakuzës, në seancën e shqyrtimit fillestar para gjykatës është deklaruar i pafajshëm. Po ashtu, ka shtuar se veprimi i tij ka qenë plotësisht politik dhe se e ka ndjerë veten të obliguar që ta bëjë këtë dhe kjo ka ardhur nga betimi i tij si deputet i Republikës së Kosovës që, me çdo kusht dhe mjet, ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”- thuhet në aktgjykim.

Aktgjykimi i cili ka 18 faqe nuk përmend në asnjë rast që Konjufca ka pranuar fajësinë për këtë ngjarje e po ashtu nuk përmend asnjë rast ku prokurori ka përdorur ndonjë deklarim të tij në publik për pranimin e fajësisë.

Në leximin e plotë aktgjykimi liston arsyet pse Prokuroria ka dështuar ta dokumentoj fajësinë e Konjufcës.

Sipas aktgjykimit asnjëri nga dëshmitarët nuk e identifikoi Konjufcën si hedhësin e gazit, ndërsa provat nuk e dokumentuan se ai përdori një armë.

Në aktgjykim konstatohet se Prokuroria nuk kishte sjellur prova forenzike që dëshmonin se në këtë rast ishte përdorur një armë.

Kodi i procedurës penale i ka garantuar të akuzuarit të drejtën që të mos e inkriminoj vetveten në çfarëdo veprimi i cili mund të konsiston në konsumimin e elementeve të ndonjë vepre penale. Po ashtu kodi penal i ka mundësuar gjykatës që në rastet kur të akuzuarit pranojnë fajësinë ta refuzojnë atë.

Fanol Krasniqi avokat nga Prishtina konfirmon se në karrierën e tij ka pasur raste kur palët kanë pranuar fajësinë, por për shkaqe rrethanore Gjykata ka marrë vendim me të cilin ja ka refuzuar pranimin e fajësisë.

“Po ka pas raste kur klienti im e ka pranuar fajësinë pasi që ka qenë në bashkëkryerje me persona të tjerë si i akuzuar, Gjykata ka marrë vendim duke ja refuzuar pranimin e fajësisë, me pretendimin se i bashkakuzuari tjetër nuk e ka pranuar fajësinë”- tha për Krypometër avokati nga Prishtina, Fanol Krasniqi.

Rast kur njëri nga të akuzuarit për rastin e vrasjes së Biznesmenit Bedri Rexhepi, ishte deklaruar se nuk ndihet fajtor në disa pika, derisa ishte i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim të varreve dhe kufomave, nga Gjykata ky deklarim ishte refuzuar si pranim i fajësisë.