
ARKIV _ Seanca fillestare ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e '53 milionëshit' - 04.05.2022
Pretendimet për provat në rastin e '53 milionë eurove'
Më 02.02.2024, faqja “Lajmi i fundit” (Arkiva) ka publikuar një artikull në të cilin flet për rastin e gjykimit të 53 milionë eurove dhe citon të akuzuarin, Eset Berisha të ketë thënë “Gjykata na dënoi pa prova, vendimi është i Qeverisë”.
Tutje, në artikull thuhet që Berisha ka thënë se “Vendimi i Gjykatës është i pasaktë, i pabazuar në fakte dhe prova.” – thuhet, tutje, në shkrimin e publikuar në këtë faqe. Ky artikull i identifikuar nga verifikuesit e fakteve është i njëanshëm dhe paraqet vetëm anën e personit të dënuar nga Shkalla e Parë, pa marrë për bazë arsyet e provat – sipas të cilave ky person ishte dënuar nga Gjykata.
Hulumtuesit kanë analizuar Aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës, i cili ishte shpallur më 31.01.2024, lidhur me rastin e 53 milionshit.
Për këtë rast ishin gjykuar dhe dënuar nga Shkalla e Parë ish-ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj “burgim” dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj “ndalim i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike”. Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj “burgim” dhe dënim plotësues prej 3 vjetësh “ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit Publik në këtë Ministri, Besim Tahiri janë dënuar secili me nga një vjet e tetë muaj “burgim” dhe me dënim plotësues prej 2 vjetësh “ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Gjykata Themelore e Prishtinës në Aktgjykimin e datës 20.03.2024 ka konstatuar se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Nebih Shatri dhe ushtruesi detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik, Besim Tahiri nuk kanë qenë të thirrur për të nënshkruar Marrëveshjen për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për rastin e “53 milionë eurove”, me Bechtel & Enka-n.
“Të pandehurit: Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëveprim dhe me dashje, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, ashtu që e kanë nënshkruar Marrëveshjen e datës 27.09.20217, në emër të Ministrisë së Infrastrukturës si punëdhënës në njërën anë dhe kompanisë “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër.” – thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës.
Gjykata i ka dhënë përgjigje edhe pretendimit të Prokurorisë se, Pal Lekaj kishte autorizuar për të negociuar me kompaninë “Bechtel & Enka” këshilltarin e tij politik, Eset Berisha.
Gjykata ka ardhur me konstatim se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj nuk ka pasur të drejtë të caktojë e as të autorizoj askë për takime e bisedime për negociata me kompaninë në fjalë.
“Këshilltari politik, i pandehuri Eset Berisha, nuk është personi kompetent për të ndërmarrë një veprim të tillë, pasi që pas vlerësimit të shkresave të lëndës vërtetohet se mbikëqyrësi i Kontratës “Hill International” është i vetmi person përgjegjës, për mbikëqyrjen e këtij projekti, pasi që i njëjti e mbikëqyr realizimin e këtij projekti deri në përfundimin e tij.” – thuhet në Aktgjykim.
Gjykata Themelore e Prishtinës në Aktgjykimin e datës 20.03.2024 ka konstatuar se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj së bashku me këshilltarin e tij politik, Eset Berisha kanë fshehur opinionin këshillëdhënës të “Hill International”.
“Nga të lartcekurat vërtetohet se opinioni ligjor i “Hill International” është dërguar në MI, më datë 21.12.2017. E ka pranuar personalisht dëshmitari Besnik Avdija dhe në parim si çdo dokument që e ka pranuar e ka përcjellur në parim tek i pandehuri Eset Berisha, e i njëjti në bashkëkryerje me të pandehurin Pal Lekaj e kanë fshehur këtë opinion, siç e kanë fshehur gjatë gjithë këtij procesi ekzistencën e kësaj kompanisë mbikëqyrëse “Hill Internacional” dhe e gjithë kjo me qëllim të realizimit të veprimeve të vazhdueshme të kundërligjshme të tyre.” – thuhet në Aktgjykim.
Lidhur me opinionin e MI, Gjykata ka konstatuar se Eset Berisha ka bërë presion te drejtori i Zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, që në opinionin e MI të hiqet rreshti ku parashihej që opinione ligjore për këto pagesa të bënte kompania mbikëqyrëse “Hill International”.
Dëshmitari i këtij rasti, Avdi Kamerolli kishte thënë në Gjykatë që presioni ndaj tij ishte bërë nga këshilltari i ministrit të atëkohshëm, Pal Lekajt, Eset Berisha.
“…ndryshimi i opinionit ligjor që e kom bo, që u hek Hilli, u hjek pikërisht për shkaqe që i kam cek edhe të premten, nga presioni nga këshilltari ligjor i Ministrit, Eset Berisha…”- kishte thënë Kamerolli.
Tutje, Kamerolli tregoi që të dy opinionet i kishte bërë nën presion, njërin në presion kohor e tjetrin në presion të të akuzuarit Berisha.
“Opinionin e parë, d.m.th. më datën 1 qershor, faktikisht e kam deklaruar, edhe pse nën presion kohor mënyrën tem e kam dhanë në opinion, d.m.th. duke u bazuar në shkresat që i kam pasur në dispozicion. Ndërsa, opinionin e dytë e kam dhanë nën ndikimin e të akuzuarit.” – kishte vazhduar Kamerolli.
Krejt këto veprime – sipas Gjykatës – i pandehuri i ka marrë me qëllim që të realizojnë qëllimet e tyre.
Këtyre dëshmive, Gjykata e Prishtinës iu kishte falur besimin gjatë administrimit të provave.
Aktakuza
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzën për ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, këshilltarin e tij politik, Eset Berishën dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin – lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, më 29 shtator të vitit 2017.
Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar Marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.
Përfundimi i autostradës me Kontratën bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me Marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, Kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.
Kjo Marrëveshje – sipas Prokurorisë – nga të pandehurit ishte lidhur pa kostot financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në Marrëveshje, Prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka”, që të paraqesë Kërkesë për pagesë.
Tutje, aktakuza thotë se Pal Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e Marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur.
Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.
Kjo Kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas Prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. Me Rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar Kërkesën në qershor të vitit 2018.