Pretendimet e pambështetura për Gjykatën Komerciale
Në Gazetën Online “Insajder” më 28 maj 2024 (arkiva) është publikuar një artikull me përmbajtje të paargumentuar ku pretendohet se Gjykata Komerciale po i zvarrit rastet dhe po favorizohet shteti në konteste me kompanitë private. Artikulli është i ndërtuar mbi deklaratën e Ilir Ibrahimit, përfaqësues i komunitetit të biznesit në Kosovë.
Ai në një intervistë për gazetën Express kishte deklaruar se ka pranuar se ata shohin anshmëri në vendimet e gjykatave. Madje Ibrahimi kishte thënë se ekzistojnë dyshime nga biznese të ndryshme se Gjykata Komerciale vendos në favor të agjencive qeveritare, kur ato janë në kontest me kompanitë private.
“Fatkeqësisht, vazhdojmë të shohim një lloj anshmërie kur kontesti është ndërmjet qeverisë dhe një kompanie private. Kjo është shumë e dëmshme për biznesin pasi ai mbetet pa mbrojtje dhe kjo ndikon në ekonominë e vendit”- kishte deklaruar Ibrahimi.
Ai në intervistën e tij nuk ka dhënë asnjë rast konkret mbi të cilin e ka bazuar pretendimin dhe nuk ka dhënë statistika për rastet të cilat pretendon se janë vendour në këtë formë.
Verifikuesit e fakteve kanë tentuar të verifikojnë pretendimin e Ibrahimit duke kërkuar fillimisht nga ai përgjigje se mbi cilat raste ka arritur në kosntatimet e tilla për Gjykatën Komerciale.
Ibrahimi në dy tentativat e Kallxo.com për të sqaruar situatën nuk ka dhënë përgjigje.
Ai është pyetur për burimet në të cilat e bazon këtë pretendim dhe nuk ka pranuar të intervistohet për të dhënë detaje.
“Jo se s`kam vakt qitash, jo bre jo qysh ma vonë, ti e ke me urgjencë unë s`e kam me urgjencë. Hiç mos m’thirrë më, lene”- ka deklaruar Ibrahimi.
Për të trajtuar pretendimet e Ibrahimti Kallxo.com ka kontaktuar me zyrtarët e Gjykatës Komerciale në Prishtinë. Në sqarimet e tyre ata kanë thënë se pretendimet e tilla janë të pavërteta, ndërsa menaxhimi i lëndëve dhe caktimi i gjykimeve realizohet nëpërmjet sistemit elektronik.
Ashtu siç edhe është e njohur secila lëndë që i caktohet ndonjë gjyqtari të caktuar bëhet përmes Sistemit për Menaxhimin e Lëndëve – SMIL. Përmes këtij sistemi secila lëndë e cila paraqitet në gjykatë regjistrohet me numër unik, e njëjta vendoset në sistem dhe në mënyrë automatike sistemi e zgjedh një gjyqtar i cili do ta trajtojë rastin.
“Çështja e vendosjes është në ingerenca të plota të gjyqtarëve dhe nuk mund të konstatojmë se si gjyqtarët individual i trajtojnë rastet”- thotë Albënora Bekteshi, zëdhënëse e Gjykatës Komerciale.
Qytetarët të cilët dëshirojnë të kontrollojnë vendimet e Gjykatës Komerciale dhe mënyrën e vendosjes së tyre mund ta bëjnë atë duke lexuar vendimet e gjykatës.
Në muajin korrik dhe gusht verifikuesit e fakteve kanë analizuar rreth 30 vendime të Gjykatës Komerciale dhe nga 10 raste me përmbajte përmbarimore, pesë herë kishte vendosur Gjykata në favor të institucioneve dhe pesë herë të tjera në favor të kompanive private në konteste të ndryshme.
Kurse nga 20 prej vendimeve të tjera të Komerciales me karakter administrativ, pesë herë ishte vendosur në favor të kompanive private kurse 15 herë kishin fituar rastet institucionet shtetërore.
Kërkuesit gjatë analizimit të këtyre vendimeve të Komerciales kanë gjetur se disa prej kompanive janë tërhequr nga paditë që vetë i kishin paraqitur, e disa prej tyre edhe ishin dorëzuar pas afateve të parapara kurse disa prej këtyre padive ishin konsideruar pa bazë.
Sipas faqes së Gjykatës Komerciale deri më tani janë publikuar plotë 9,351 vendime nga kjo gjykatë.
Në gusht të vitit 2024, Gjykata Komerciale ka dalë me njoftim për efikasitetin e punës që bën kjo Gjykatë. Duke njoftuar se nga janari deri në qershor 2024 kanë trashëguar nga viti paraprak 8.4 lëndë, lëndë të reja i ka pranuar 2.8, kurse gjatë kësaj përiudhe ka zgjidhur plotë 2.9 lëndë.
“Dhoma e Shkallës së Parë e kësaj gjykate për periudhën janar – qershor 2024, ka trashëguar 8,459 lëndë nga viti paraprak, ka pranuar 2,884 lëndë të reja dhe ka zgjidhur gjatë kësaj periudhe 2,928 lëndë, ndërsa kanë mbetur në punë 8,415 lëndë. Norma e spastrimit të lëndëve ka shfaqur një efikasitet të lartë në zgjidhjen e lëndëve për këtë periudhë edhe në Dhomat e Shkallës së Parë në masën e 101.53%”- thuhet në njoftimin që ka bërë Gjykata Komerciale.
Gjykatat e Kosovës janë të ndërtuara mbi parime kushtetuese të cilat sigurojnë që Sistemi i Drejtësisë është unik, i pavarur dhe i drejtë dhe assesi politik duke ju siguruar qasje të barabartë në gjykatë të gjithë palëve.
Tutje Parimet Kushtetuese garantojnë se çdo gjykatë e Kosovës duhet të veproj në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Parim tjetër që theksohet në kushtetutë është që secili gjyqtar duhet të ushtroj profesionin e tij në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
“Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm”- thotë neni 102 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në pikën 2, 3 dhe 4 të këtij neni.
Përndryshe Gjykata Komerciale në fillim të muajit korrik 2024 ka fituar çmimin si gjykata më transparente lidhur me publikimin e aktgjykimeve. Këtë çmim Komercialja e ka fituar nga Lëvizja “FOL” me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).