Pallati i Drejtësisë

Pasaktësitë e raportuara për vendimet e gjykatave në çështjen Sekiraqa

Në disa raportime për çështjen ndaj Enver Sekiraqës mediat raportuan të pavërteta që lidhen me punën e gjykatës.

Verifikuesit e fakteve kanë zbuluar të paktën dy raste kur mediat raportuan pasaktësi lehtë të verifikueshme për çështjen në fjalë.

Raporti i parë është hasur në Televizionin Klan Kosova ku ishte raportuar se Sekiraqa u arratis nga arresti shtëpiak, ndërsa lajmi tjetër ishte raprotuar në RTV Dukagjini dhe në të thuhej se Sekiraqa do dërgohej në vuajtje të dënimit.

Në kronikën e lajmeve të orës 20:00 në Klan Kosova të datës 18.05.2024 në hyrje të lajmeve njoftohet se “Enver Sekiraqa është arrtisur pas vendimit të Apelit që ta kthej nga arresti shtëpiak në paraburgim” (arkiva).

Referenca në vendim të Apelit gjoja se “Pas vendimit të Apelit që ta kthej nga arresti shtëpiak në paraburgim” është i pasaktë.

Enver Sekiraqa në ditën e shpalljes së akgjykimit dënues me 25 vite me burgim më 03.05.2024 ishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak që të mbrohet në liri, me aktvendim të veçantë.

Këtë vendim e kishte marrë kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi, në ditën e shpalljes së aktgjykimit.

“I ndërpritet masa e arrestit shtëpiak më datë 03.05.2024 dhe i njëjti lihet të mbrohet në liri” – thotë aktvendimi i veçantë që ishte marrë nga Agim Kuçi.

Kundër këtij vendimi kishte paraqitur ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në Gjykatën e Shkallës së dytë, atë të Apelit.

Apeli kishte marrë vendim që ta kthej në masën e paraburgimit, të akuzuarin Enver Sekiraqa për shtytje në vrasjen e policit, Triumf Riza. I njëjti atëkohë gjendej në liri.

“Caktohet masa e paraburgimit, që do të zgjas deri sa aktgjykimi të marrë formën e prerë e jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore”- thuhet në vedimin e Apelit të datës 17.05.2024.

Pra nga të lartcekurat, i akuzuari Enver Sekiraqa nuk gjendej nën masën e arrestit shtëpiak në momentin kur Apeli kishte marrë vendim për ta kthyer të njëjtin në masën e paraburgimit, por i njëjti gjendej nën masën mbrojtje në liri.

Masa e paraburgimit dhe ajo e arrestit shtëpiak, janë vetëm disa nga masat që ekzistojnë në kodin e procedurës penale të cilat gjykata i ka në dispozicion që t`i shfrytëzoj me qëllim që ta sigroj të akuzuarin në procedurë penale.

Masa e paraburgimit caktohet me qëllim që personi ndaj të cilit kanë filluar hetimet apo është duke u gjykuar, të mos arratiset, të mos ndikoj në prova ose të mos i asgjësoj ato.

Pretendimi tjetër i pasaktë është ai në RTV Dukagjini. Më 18.05.2024 në televizionin TV Dukagjini është publikuar kronika e lajmeve me titull “Detaje – si u mbajt fshehtë arratisja e Enver Sekiraqës?”  në sekondën e 00:07 – 00:12 thuhet se “Nuk dihet nëse policia ka arritur ta gjejë atë që ta dërgoj në qeli për vuajtje të dënimit”. 

Referimi se Sekiraqa ishte kërkuar nga Policia që të dërgohet në vuajtje të dënimit është i paskatë pasi Policia kanë shkuar që ta kërkojnë të njëjtin në lokacionet e vendbanimit me qëllim dërgimin e Sekiraqës në qendër të parabrugimit. Krejt kjo pas vendimit të Apelit të datës 17.05.2024, që kishte kthyer nga mbrojtja në liri në masën e paraburgimit të akuzuarin për nxitje në vrasjen e policit Tirumf Riza, Enver Sekiraqa.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”- kishte thënë Policia e Kosovës për KALLXO.com më 18.05.2024.

Më 03.05.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza. Me rastin e shpalljes së akgjykimit sipas kodit të procedurës penale, gjyqtari i çështjes ka afat prej 90 ditësh deri në përpilimin e plotë të aktgjykimit. Me rastin e përpilimit të aktgjykimit, i njëjti duhet të ju dorëzohet palëve të cilat kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Gjykata e shkallës së dyë ka kompetencë që aktgjykimin e shkallës së parë ta vërtetoj plotësisht apo pjesërisht, ta anuloj dhe rastin ta kthej në pikën zero.

Vendimi për Sekiraqën është përpiluar më 02.08.2024, pra ende nuk është shterruar afati për ankesë i cili është në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e shkallës së dytë, në atë të Apelit.

 

“Aktgjykimi merr formë të prerë kur më nuk mund të kundërshtohet me ankesë ose kur nuk lejohet ankesë”- thotë neni 485 paragrafi 1 i kodit të procedurës penale.

Tutje, sipas ligjit për zbatimin e sanksioneve penale neni 7 paragrafi 1 thotë se ekzekutimi i sanksioneve penale fillon të bëhet kur vendimi dënues ndaj personit të cakuar e ka marrë formën e prerë.

“Ekzekutimi i sanksionit penal fillon kur vendimi me të cilin është shqiptuar sanksioni penal e merr formën e prerë dhe nëse për ekzekutimin e tij nuk ka pengesa ligjore”.

Pra nga krejt kjo, vijmë në përfundim se referimi në kronikën se Sekiraqa është kërkuar nga policia që të dërgohet në vuajtje të dënimit nuk është i saktë.

Historiku i çështjes 

Lidhur me arratisjen e Enver Sekiraqës nga Kosova, Policia e Kosovës kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve që të japin informacione në rast se hasin të njëjtin më 23.05.2024.

Më 03.05.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Plot 17 vite më parë në Prishtinë, në moshën 27 vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Një gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.

Kujtojmë se vetëm në gjykimin e fundit ndaj Sekiraqës janë ndërruar mbi katër prokurorë të cilët kanë përfaqësuar rastin, Burim Qerkini duke qenë i fundit e që i kanë paraprirë Shpëtim Peci, Merita Bina- Rugova e Haki Geci.