Huqja se kryeministri Albin Kurti është ftuar që të intervistohet në Prokurori si i dyshuar

Më 30.12.2024 një faqe në TikTok (Arkiva) ka postuar një video të Kryeministrit Albin Kurti, me mbishkrimin “Albini spo shkon me dëshmu për hajnin e rezervave shtetërore. Janë gjetë imellat, provat që e implikojnë direkt. Tash synon viktimizimin”. 

Pretendimi se janë gjetur email-e se Kryeministri i vendit, Albin Kurti është i inkriminuar direkt në rastin e ‘Rezervave shtetërore’ del të jetë i pa vërtetë, pasi që Kurti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale ka një dallim nga ftesa ndaj një të dyshuari dhe një dëshmitari në një procedurë hetimore.

Dëshmitari është palë e cila ftohet qoftë nga Gjykata apo Prokuroria ose mbrojta e të akuzuarit që të dëshmoj lidhur me një çështje penale. Dëshmitari ka për obligim të tregoj të vërtetën, të mos fsheh asgjë, në të kundërtën mund të ndiqet penalisht për dëshmi të rreme. Tutje dëshmitari ka të drejtë që në rast se e inkriminon veten nga deklarimi i tij, të mos përgjigjet. Dëshmitari nuk ka të drejtë të heshtë. 

Kurse i dyshuari ka statusin një personi ndaj të cilit prokuroria ka pretendime se është kryer një vepër penale, ndaj të cilit merr aktvendim për të filluar hetimet dhe mund të përfundoj me aktakuzë. I akuzuari ka të drejtë të përfaqësohet nga mbrojtësi, të paraqes prova e të propozoj që të ftohen dëshmitarë me qëllim që t`i kontriboj mbrojtjes së tij nga akuzat e prokurorisë.

Dallim tjetër mes të pandehurit dhe dëshmitarit është se, për të akuzuarin fillon një proces gjyqësor, ku kemi prokuroinë në njërën anë e cila mundohet të argumentoj ngritjen e aktakuzës dhe në anën tjetër të akuzurin i cili me çdo mjet juridik mundohet ta godet aktakutzën e prokurorisë.

Dallim tjetër qenësor është se i akuzuari ka të drejtën të deklarohet për akuzat, mund t`i pranoj ato, mund të mos i pranoj, ndërsa dëshmitari nuk e ka këtë të drejtë. Heshtja si një e drejtë që e ka i akuzuari e për të cilën nuk mund të ndëshkohet nuk vlen për dëshmitarin i cili nuk ka të drejtë të hesht, por duhet të përgjigjet në çdo pyetje që i adresohet atij. 

Këto të drejta dhe detyrime janë të përcaktuara me Kodin penal të Kosovës në nenin 122 dhe nenin 126, i cili flet për udhëzimet që i jepen dëshmitarit para se të jap dëshminë e tij.

Kurse të drejtat që i ka i akuzuari në procedurë penale gjenden në nenet, 10, 11, 12, 13 të Kodit të procedurës penale.

KALLXO.com ka raportuar për ftesat që  i janë dërguar kryeministrit, Albin Kurti nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për rastin e ‘Rezervave shtetërore’

Ftesën e parë kryeministri Kurti e kishte marrë në dhjetor të vitit 2024. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e kishte bërë publike ftesën e Prokurorisë. 

“Thirrje për dëshmitarin, dëshmitari, Albin Kurti, data e paraqitjes 16.12.2024, objekti i Prokurorisë Speciale”- përshkruhet në ftesën e Prokurorisë Speciale e cila është e nënshkruar nga dy prokurorët e rastit, Milot Krasniqi dhe Valdet Gashi. 

Kësaj ftese Kryeministri, Kurti nuk i ishte përgigjur duke e shtyrë prokurorinë që të dërgoj edhe ftesën e dytë dhe ftesën e tretë që i njëtji të paraqitet për të dëshmuar.

Rezultati përsëri ka qenë i njëjti, pasi Kurti nuk ka pranuar të shkoj dhe të dëshmoj në cilësinë e dëshmitarit para prokurorëve për këtë çështje penale.

Prokuroria Speciale planifikon t’i drejtohet Gjykatës për kryeministrin Albin Kurti

Për rastin e ‘Rezervave shtetërore’ janë të dyshuar zyrtari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, afaristi Ridvan Muharremi dhe Hafiz Gara.

Por, më 15.04.2024 Prokuroria Speciale kishte zgjeruar listën e personave të dyshuar duke e intervistuar si të përfshirë në këtë rast edhe ministren kësaj ministrie, Rozeta Hajdari.

Pra për këtë rast deri më tani nuk ka aktakuzë, por që të dyshuar janë katër përsona duke e përfshirë ktu edhe ministren, Hajdari.

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, të dyshuarit lidhur me keqpërdorimin e rezervave shtetërore ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Gjykatës së Apelit vetëm pak ditë pasi Gjykata Themelore i kishte caktuar masën e paraburgimit, të njëjtit gjendeshin në paraburgim që nga 19 gushti i vitit 2023.

Në dosjen 12-faqëshe të Prokurorisë janë përshkruar me detaje veprimet dhe mosveprimet e tre të dyshuarve, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe një afarist, nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Aty thuhet se pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se edhe përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9,947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

“Si pasojë e këtyre veprimeve buxheti i Republikës së Kosovës i destinuar për rezerva shtetërore, është dëmtuar në vlerë prej 601 mijë e 940 euro” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj sipas prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

“….Pas të cilave ishin nënshkruar Kontrata, datë 13.03.2022 me O.E. “Yafe Turizm Insant Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e grurit, në sasi 10,000 tonë, me çmim të kontraktuar 4,834,778 Euro dhe Aneks-kontrata nr.prot. 1960-02, datë 29.03.2022 dhe me O.E. “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni, si dhe Kontrata nr.1548-02, datë 17.03.2022 për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, në sasi 200,000 litra vaj dhe 120,000 kg. sheqer, me çmim të kontraktuar 276,000 Euro, ku pas nënshkrimit të kontratave i pandehuri kishte urdhëruar dhe bërë trysni ndaj zyrtarëve financiar në MINT, për të realizuar ciklin e pagesave për O.E. të cekur në formë të avansit në lartësi 100% të vlerës së kontratës, mirëpo pavarësisht faktit se pagesa është realizuar në tërësi, në Kosovë si vend i destinimit janë sjellë vetëm 9,947.5 tonë grurë, ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare, ku si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi 601,940 Euro, përkatësisht buxheti i Republikës së Kosovës i destinuar për rezerva shtetërore”– thuhet në dosje.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezerves shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

“…Pas nënshkrimit të kontratave, O.B. te kontraktuar, edhe pse ju ishin kryer pagesat në tërësi, në Kosovë si vend i destinimit i kanë sjellë vetëm 9,947.5 tonë grurë, gjithsej 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk ishin sjellë fare” – thuhet në dosje.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.

“Ku si rezultat është lidhur Kontrata për furnizim me rezerva shtetërore në mes të Ministrisë se Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” për blerjen e grurit, në sasi prej 10,000 tonë, dhe çmim prej 4,834,778 Euro, me të cilat kompani i pandehuri Ridvan Muharemi, edhe më parë ka pasur raporte kontraktuale dhe biznesore dhe Kontrata nr.1548-02 e datës 17.03.2022 me O.E. “Xanto SP ZO.O. In për furnizim me Vaj luledielli dhe sheqer, në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg. sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit, mirëpo edhe përkundër faktit se pagesat janë realizuar, autoriteti kontraktues ka pranuar vetëm 9,947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare….” – thuhet në dosje.

Gjykata e Prishtinës jua kishte caktuar nga 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara ishte dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin ishte dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit 2023, me urdhër të Prokurorisë Speciale ishin kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.