
Të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë
Aktakuza ndaj tre bashkëpunëtorëve të grupit të Millan Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë mbetet në fuqi
Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim me të cilin e ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktkuazës ndaj të akuzuarve të grupit të Millan Radoiçiqit, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq të përfshirë sipas prokurorisë në sulmin terrorist në Banjskë më 24.09.2023.
Në këtë rast gjithsej të akuzuar janë 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që gjenden nën masën e paraburgimit.
“Refuzohen në tërësi si të pa bazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve”- thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të datës 06.12.2024.
Tre të akuzuarit për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në Banjskë në seancën e shqyrtimit fillestar ishin deklaruar rreth fajësisë më 09.10.2024.
Mbrojtësit e të akuzuarve për këtë aktakuzë kishin paraqitur vërejtjet e tyre si dhe ndaj provave që gjenden në të, por që gjyqtari, Arben Hoti ka konsideruar si të pa bazuara.
Avokati Millos Deleviq që mbron të akuzuarin Vladimir Toliq ka kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza në tërësi pasi që nuk ka prova që e vërtetojnë se i mbrojturi i tij të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Avokati ka theksuar se nuk ka asnjë provë që e vërteton se i mbrojturi i tij të ketë kryer këtë vepër penale.
Avokati i Toliqit ka thënë se Prokuroria Speciale (PSRK) nuk ka specifikuar asnjë veprim se si është kryer vepra penale, nuk kuptohet sipas tyre se çfarë roli ka pas, a atë të udhëheqësit, ekzekutorit, ndihmësit apo nxitësit.
Sipas avokatit, nuk ka prova të mjaftueshme të pranueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij të ketë kryer këtë vepër penale.
PSRK i është përgjigjur edhe pretendimit të avokatit Deleviq, duke thënë se i akuzuari është gjendur në vendin e ngjarjes dhe i njëjti është arrestuar. I njëjti ka qenë i armatosur rëndë dhe i veshur me uniformë të kamufluar ushtarake.
Sipas PSRK i njëjti ka qenë i plagosur dhe i është dhënë ndihma e parë. Sipas përgjigjes së prokurorisë në këto pretendime, thuhet se të akuzuarit i janë gjetur grimca të barotit nga qitja me armë të zjarrit të cilat dëshmojnë se Toliq ka marrë veprime dhe ka qenë aktiv në Banjskë.
Provë shtesë që ka përmendur prokuroria për Toliq janë fotografitë që janë nxjerrë nga ekzaminimi i telefonit të të akuzuarit që është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Mesazhe dhe fotografi që sipas prokurorisë inkriminojnë të pandehurin në rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe avokati Ljubomir Pantoviq, i cili mbron të akuzuarin Blagoje Spasojeviq.
Pantoviq në kërkesë për hedhje të aktakuzës ka thënë se aktakuza e prokurorisë speciale nuk e përmbush kushtin e provave të pranueshme për të akuzuarin Blagoje Spasojeviq.
Sipas avokatit, prokuroria nuk i ka specifikuar fajin e të mbrojturit të tij në këtë rast duke e bërë përmbajtjen e aktakuzës si të pa qartë.
Sipas Pantoviq të vetmen gjë që prokuroria e ka specifikuar për të mbrojturin e tij është se i njëjti është arrestuar në vendin e ngjarjes duke shtuar se ky element nuk mund të përdoret për të mbështetur dyshimin se i mbrojturi i tij të ketë kryer veprën penale.
PSR i është përgjigjur avokatit Pantoviq duke thënë se Spasojeviq ishte gjetur në vendin e ngjarjes i armatosur rëndë, me jelek antiplumb dhe me 5 karikatorë të mbushur me plumba, si dhe arma e repetitur për të shkrepur plumba.
Fakt tjetër se i njëjti ka marrë pjesë në ngjarjen e 24.09.2023 sipas prokurorisë e dëshmon edhe fakti se të njëjtit i janë gjetur mbetje të grimcave të qitjes nga arma e zjarrit.
Ndërsa avokatja Jovana Filipoviq që mbron të akuzuarin Dushan Maksimoviq, ka shtuar se PSRK nuk ka arrit në asnjë rast ta vërtetoj se Maksimoviq ka lidhje me këtë rast.
Avokati tutje ka shtuar se nuk është e mundur që për dy pika të aktakuzës të jetë përshkrimi i veprimeve i njëjtë ndërsa në dy pikat ka kualifikime të ndryshme të veprave penale.
Filipoviq ka thënë se AND-ja e të mbrojturit të saj nuk përputhet në asnjë prej sendeve të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas saj është vërtetuar se ai nuk ka qëllur me armë në ditën kritike pasi nuk ka grimca të barotit në duart e tij ose në gjësendet e tij.
Pretendimeve të të akuzuarve i’u është përgjigjur Prokurori Special, Naim Abazi.
Sa i përket pretendimeve për prova, Abazi ka theksuar se të gjitha provat janë marrë në mënyrë të ligjshme nga policia dhe prokuroria duke shtuar që provat janë të mbështuetura do të thotë dihet se prej nga e kanë origjinën.
Prokuroria për Maksimoviq në përgjigjën e dhënë ka përmendur faktin se gjatë ekzaminimit të telefonit të të akuzuarit janë gjetur shumë prova dhe komunikime relevante që lidhen me pjesëmarrjen në barrikada sipas grupeve.
Gjithashtu në këtë telefon janë gjetur foto të grupit dhe të vet atij i veshur me uniforma e me armë si dhe i janë gjetur foto edhe me kryesorin e këtij grupi Millan Radoiçiq. Gjatë ekzaminimit të telefonit janë gjetur edhe foto të krijimit të istikameve, foto të pjesëmarrjes me maskë në sulmet kundër forcave të KFOR-it dhe të Policisë të Kosovës tek objekti i Komunës së Zveçanit.
Sipas Prokurorisë roli i këtij të akuzuari ka qenë për të vendosur barrikada apo siç i quanin ata “Stuba” për t`i penguar.
Pasi ka marrë për bazë pretendimet e palëve Gjykata ju ka dhënë përgjigje definitive atyre.
Sipas Gjykatës pikë së pari është vërtetuar se provat janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe nuk ka ndonjë provë që mund të konsiderohet e pa pranueshme. Shto kësaj që mbrojtja nuk ka paraqitur ndonjë provë konkrete e cila do të konsiderohej si provë e pa pranueshme.
Gjykata ka konstatuar se pretendimet e avokatëve se prokuroria nuk ka caktuar rolet e secilit të akuzuar në veprimet që i kanë ndërmarrë sipas Gjykatës nuk kanë bazë sepse në këtë fazë të procedurës nuk mund të shqyrtohen rolet e tyre, ngase aktakuza është e mbështetur në këtë fazë në prova, se është dyshimi i bazuar mirë që do të bindte një vëzhgues objektiv që vepra penale ka ndodhur.
Gjykata tutje ka konstatuar se nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Gjykata tutje ka thënë se aktakuza e Prokurorisë është e formuluar sipas dispozitave ligjore.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për terrorizëm janë në paraburgim që nga shtatori i 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-ës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Për këtë rastë janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu) për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.