Foto: Kallxo.com

Enver Sekiraqa me 6 mars do ta sfidojë dënimin me 30 vjet burgim

Gjykata e shkallës së dytë me 6 mars do të mbajë seancën ndaj Enver Sekiraqës, i dënuar dy herë për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Enver Sekiraqa kërkoi drejtësinë në gjykatën e Apelit, pasi mori vendimin me të cilin u dënua me 30 vjet me burg për porositjen e vrasjes së Triumf Rizës.

Avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuarit Sekiraqa, kishte goditur këtë vendim me ankesë mbi të gjitha bazat ligjore.

Sekiraqa, në maj të vitit 2016 ishte dënuar me 37 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.

Ndërsa Arben Berishës, si ekzekutor tani të ndjerit Riza i është shqiptuar dënim me 37 vjet burgim efektiv.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.