Emri i Kadri Veselit përmendet në gjykimin për mashtrim

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e gjykimit ndaj të akuzuarve për mashtrim në bashkëkryerje, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi.

Në seancën e sotme ka dëshmuar i dëmtuari Faton Dalladaku.

Ai tha se të akuzuarit ia kishin marrë të hollat e gatshme që arrijnë shumën 840 mijë euro, në emër të blerjes së aksioneve të Qendrës Kardiake të Kosovës sh.p.k në Prishtinë.

I pyetur nga prokurorja Rukije Shesivari, dëshmitari tha se rastin në vitin 2012  nuk e kishte paraqitur në Polici duke shpresuar se të akuzuarit do t’ia kthenin mjetet. Mirëpo, meqë kishte dështuar një gjë e tillë, në vitin 2015 e kishte lajmëruar rastin.

Dalladaku theksoi se në vitin 2007, 2008 pa asnjë arsye dhe ndonëse e kishte pasur gjithë dokumentacionin në rregull i ishte pezulluar ndërtimi i spitalit.

Më tutje Dalladaku shtoi se “na kemi dashtë me pasë përkrahje politike që mos të kemi pengesa më tutje si më herët për realizmin apo implementimin e projektit. Fatkeqësisht ne spitalin të cilin e kam ndërtuar ende kam shantazhe, probleme të llojit të ndryshëm”.

Mirëpo, në pyetjen e të akuzuarit Rrahim Hashimi se a ka ndonjë lidhje apo kontakte me personat politikë, si Kadri Veseli dhe të tjerë, dëshmitari Dalladaku mohoi të ketë lidhje me këta persona.

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiake ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290.810.00 euro.