Ekzaminim i ri psikiatrik për Pjetër Ndrecajn

 

Pjetër Ndrecaj, i akuzuari për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare, është sjellë para gjykatës në Gjakovë pa jelek antiplumb dhe pa zingjirë në këmbë.

Në seancën e sotme u prezantua raporti mjekësor nga Spitali Regjional i Gjakovës “Isa Grezda” dhe u dëgjua doktori psikiatër, Ilir Grezda.

Psikiatri Ilir Grezda, tregoi se te i akuzuari Pjetër Ndrecaj kishte vërejtur frikë dhe nervozitet, kryesisht traumë-dëmtim psikologjik.

“Individi në fjalë është diagnostfikuar me çrregullim psikiatrik, ku preken disa funksione psikologjike të trurit”, deklaroi doktori psikiatër Ilir Grezda.

Ky çrregullim manifestohet me emocione, ankth, frikë, simptome fizike, tension i gjakut, çrregullime të frymëmarrjes dhe pamjes së jashtme të fytyrës.

Psikiatri i pyetur nga avokati Ndrec Dodaj, se çrregullimi psikiatrik a shkaktohet nga traumat e luftës ose qëndrimi në burg. Doktori nuk e mohoi një gjë të tillë.

Doktori Grezda, tregoi se terapia e duhur për stresin postraumatik është risocializimi, trajtim psikoterapi çdo 3 javë, që t`i lehtësohet veprimi i tij në shoqëri.

Ai tregoi se faktorët që e shkaktojnë këtë stres janë marrëdhëniet familjare, sjellja e bashkëshortit ose bashkëshortes, gjendja jo e mirë e fëmijëve, çështjet sociale e të tjera.

Pastaj u vazhdua me leximin e shkresave të lëndës, ku në shumicën prej tyre avokati i të akuzuarit Ndrec Dodaj, kishte vërejtje.

Ndërsa avokati që përfaqëson palën e dëmtuar Isa Osdautaj, propozoi që të lexohet letra që e ka lënë Valbona Ndrecaj, e cila gjendet në Inspektoriatin Policor si dhe CD-ja ku është zhvilluar e gjithë biseda ditën kritike në shtëpinë e prindërve të saj

Një letër të tillë e kundërshtoi avokati Ndrec Dodaj, me arsyetimin se e njëjta mund të mos jetë autentike dhe të jetë e manipuluar, gjë e cila nuk mund të vërtetohet pavarësisht përmbajtjes së saj.

Poashtu avokati Dodaj, nuk hoqi dorë nga propozimi për ekzaminimin e ri psikiatrik ndaj të akuzuarit Pjetër Ndrecaj.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin për leximin e letrës së lënë nga Valbona Markaj- Ndrecaj dhe dëgjimin e CD-ve, e poashtu e aprovoi edhe propozimin për ekzaminimin e ri psikiatrik të të akuzuarit Pjetër Ndrecaj.

Ky gjykim u shty për një kohë të pacaktuar.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Bëhet e ditur tashmë se ishte djegur shtëpia ku jetonte Familja e Valbona Marku Ndrecaj.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.