Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ekzamineri i Qendrës së Patentë Shoferëve e pranon fajësinë për marrje ryshfeti

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës, zyrtarë në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, të akuzuar se kanë marrë ryshfet për t’i siguruar një kandidateje të kalojë testin teorik për patentë shoferë.

I akuzuari Ekrem Zhegrova e ka pranuar veprën penale për të cilën akuzohet – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai kërkoi nga Gjykata shqiptimin e dënimit sa më të lehtë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Isuf Makolli, e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Ekrem Zhegrova, pas marrjes se mendimit të prokurorit të shtetit i cili ishte pajtuar për pranimin e fajësisë në seancën e shqyrtimi të dytë gjyqësor.

Sipas aktakuzës, Ekrem Zhegrova më 18 shtator 2019 derisa ishte duke punuar në sektorin privat “Money Gram’’ në afërsi të Qendrës së Patentëve në Prishtinë, takohet me kandidaten Shkurte Hasani, tani e dëmtuar, nga e cila ka kërkuar shumën prej 500 euro dhe i ka marrë ato me qëllim që t’i ndihmojë ta kalojë provimin teorik për patentë shoferë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 3 janar 2020.

Ndërsa, gjyqtari Makolli e ka veçuar rastin ndaj egzaminerit tjetër të Qendrës së Patentë Shoferëve, Gëzim Kryeziu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gëzim Kryeziu, avokati Haxhi Millaku, e njoftoi Gjykatën se kishte paraqitur propozim për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas ushtrimit të aktakuzës nga Prokuroria.

“Prokuroria nuk ka qenë e vullnetit të mirë në kuptim të kërkesës së mbrojtjes për sanksionin penal, prandaj ky negocim nuk është realizuar”, tha Millaku.

Prokurori i shtetit Ibrahim Berisha, deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Gëzim Kryeziu, avokati Haxhi Millaku, në Prokurori ka paraqitur propozim për negocimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë.

“Por siç dihet vepra për të cilën i akuzuari ngarkohet është një vepër bukur kapitale dhe se Prokuroria nuk ka arritur marrëveshje lidhur me sanksionin penal”, tha ai.

Më tutje, prokurori shtoi se në këtë çështje penale Prokuroria kishte siguruar prova të mjaftueshme, të besueshme mbi bazën e të cilave e kishte ngritur aktakuzën në mënyrë të ligjshme, andaj i propozoi Gjykatës që kërkesën për kundërshtimin e provave, ta hedhë si të papranueshme.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor për të akuzuarin Gëzim Kryeziu u caktua më 13.2.2020, në të cilën do te ftohen dëshmitarja Shkurte Hashani dhe Vahide Dragusha nga Prishtina.

Aktakuza ndaj ekzaminerëve të qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë, Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës është ngritur për marrjen e ryshfetit prej 500 euro nga kandidatja, tani e dëmtuara Shkurte Hashani për ta kaluar provimin për patentë.

Aktakuza sqaron se Gëzim Kryeziu më 18 shtator 2019, rreth orës 11:00, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, e shfrytëzon detyrën duke tejkaluar kompetencat e tij dhe sipas instruksioneve të Ekrem Zhegrovës  i ndihmon kandidates Shkurte Hashani në dhënien e provimit teorik duke iu afruar gjatë testit dhe duke i treguar me shkrim se cilat janë përgjigjet e sakta.