Ilustrim

Ekzaminerët e patentë-shoferëve të akuzuar për ryshfet nuk arrijnë marrëveshje me Prokurorinë

Gëzim Kryeziu dhe Ekrem Zhegrova, të akuzuar për marrje ryshfeti lidhur me patente shoferë, janë deklaruar në gjykatë për fajësinë e tyre.

Dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë nga Prokuroria.

Aktakuza ndaj ekzaminerëve të qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë, Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës është ngritur për marrjen e ryshfetit prej 500 euro nga kandidatja, tani e dëmtuara Shkurte Hashani për ta kaluar provimin për patentë.

Aktakuza sqaron se Gëzim Kryeziu me datën 18 shtator 2019, rreth orës 11, në cilësinë e personit zyrtar ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë, e shfrytëzon detyrën duke tejkaluar kompetencat e tij dhe sipas instruksioneve të Ekrem Zhegrovës  i ndihmon kandidates Shkurte Hashani në dhënien e provimit teorik duke iu afruar gjatë testit dhe duke i treguar me shkrim se cilat janë përgjigjet e sakta.

Ndërsa të akuzuarin Ekrem Zhegrova Prokuroria e ngarkon se me datën e njëjtë rreth orës 10 derisa ishte duke punuar nw sektorin privat “Money Gram’’ në afërsi të Qendrës së Patentëve në Prishtinë, takohet me kandidaten Shkurte Hasani, tani e dëmtuar nga e cila ka kërkuar shumën prej 500 euro dhe i ka marrë ato me qëllim që t’i ndihmojë ta kalojë provimin teorik për patentë shoferë.

Seanca ndaj ekzaminerëve të akuzuar për ryshfet – 14.11.2019

Në seancën e sotme ishte paraparë të shqyrtohej marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, mirëpo të akuzuarit pasi iu ishin prezantuar kushtet nga Prokuroria kishin refuzuar negocimin për pranimin e fajësisë.

Në seancën e sotme prokurori i rastit Ibrahim Berisha kërkoi nga Gjykata të konfiskohen përherë paratë e gjetura tek i akuzuari Gëzim Kryeziu në shumë prej 1,845 euro dhe shuma prej 1,852 euro të gjetura tek i akuzuari Ekrem Zhegrova.

Avokatët Haxhi Millaku dhe Naim Rudari kundërshtuan propozimin e tillë, ndërsa kërkuan nga Gjykata që ndaj te akuzuarve të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Seanca ndaj ekzaminerëve të akuzuar për ryshfet – 14.11.2019

Seanca e radhës u caktua për datën 31 dhjetor, ku do të shqyrtohen kundërshtimet e provave dhe kërkesa për refuzimin e akuzës.

 

E pazakontë, gjykata trajton me urgjencë akuzën për patent shofer

.