Foto: KALLXO.com

Ekspertja: Përputhen shkrimi e nënshkrimi në letrën në xhepin e viktimës dhe në fletoren e të akuzuarit

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar procesi gjyqësor kundër Kreshnik Halitit, i cili akuzohet për vrasjen e Mentor Zekajt.

Në seancën e sotme u dëgjuan disa dëshmitarë.

Dëshmitari Fadil Vucetaj tha se në ditën kritike kishte dëgjuar disa krisma, për të cilat fillimisht kishte menduar që janë nga petardët, por që kur është kthyer të marketi ka dëgjuar një person duke e thirrur emrin e tij. Pastaj ka kuptuar që ai ishte tani i ndjeri Mentor Zekaj.

“Në ato momente kur jam kthyer te marketi, kam menduar që po më thirr dikush, me zë të shterur, nuk e kam ditë saktësisht prej nga po me vjen. Kam këqyr andej, mu ka dokë se është Mentori. Në atë moment ai u rrëzua, edhe mandej e lidha që krismat që i dëgjova nuk ishin petardë. Largësia mes meje e Mentorit ka qenë diku 10 ose 15 metra”, tha dëshmitari Vucetaj, duke përshkruar momentet kritike të datës 6 mars 2017.

Sipas dëshmitarit arsyeja se pse nuk ishte afruar afër tani të ndjerit Zekaj ishte sepse e kishte ndjerë veten të rrezikuar duke pasur parasysh situatën e krijuar.

Dëshminë e dha edhe ekspertja Leonora Shillova, përpiluesja e ekspertizës grafologjike, e cila tha se në bazë të rezultatit të ekspertimit, shkrimi dhe nënshkrimi në dëshminë- letrën që është gjetur në xhepin e viktimës është i të njëjtit person me atë të fletores së gjetur në shtëpinë e të dyshuarit.

“Në bazë të rezultatit të këtyre të gjeturave se shkrimi dhe nënshkrimi nën dëshminë 1/4 është i të njëjtit person në materialin e njohur në dëshminë A”, tha ajo.

Prokurori i rastit Ardian Hajdaraj e pyeti eksperten lidhur me shkallën e gabimit në këtë raport të ekspertimit, ku dëshmitarja tha se probabiliteti i gabimit është zero.

Ekspertja tha se me rastin e ekspertimit të dëshmive janë shikuar të gjitha shkronjat e numrat, duke cekur në fund karakteristikat individuale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, tha se në kopjen e dorëzuar atij nuk vëren të krahasuar asnjë zero.

“Në kopjen time, nuk e ke krahasuar asnjë zero, pra ju nuk jeni marrë më zero. A është kështu?”, pyeti avokati.

“Jo, nuk është kështu, ne i kemi disa kopje që i shënjestrojmë që nuk i qesim në raport. Kështu që unë i kam fletët e punës me vete dhe këtu e kam të shënjestruar numrin 20, pra 2 dhe 0, e që është bërë edhe ekspertimi i zeros“, tha ekspertja Shillova duke i dorëzuar Gjykatës një kopje të këtyre gjetjeve.

Pas shikimit të shkresave të lëndës ekspertja tha se arsyeja pse zero nuk figuron të kopjet dorëzuar Gjykatës është problem teknik i fotokopjes, duke sqaruar se në faqen e katërt, rreshtin e fundit ku është konstatuar 20.09.2012, të numri dy dhe zero është bërë shënjestrimi më shigjetë.

Sipas ekspertes zerot që iu referua avokati janë të shkruara nga i njëjti person.

Avokati Besnik Berisha po ashtu pyeti eksperten lidhur me  nënshkrimin në fletoren e të akuzuarit, më saktësisht me mostrën e nënshkrimit me të cilin është krahasuar ky nënshkrim.

Prokurori kundërshtoi këtë pyetje me arsyetimin se meqenëse sipas tij në asnjë raport të ekspertes nuk ka konstatim që është bërë ekzaminimi me nënshkrimin e të pandehurit por është bërë ekzaminimi i mostrës- letrës se gjetur në xhepin e viktimës me fletoren e të akuzuarit.

Dëshmitarja Shillova tha se në bazë të ekspertimit, është i njëjti nënshkrim duke shtuar se veçoritë e lidhjeve të karaktereve të nënshkrimit janë po të njëjtit person.

Avokati Berisha vazhdoi me pyetje drejtuar ekspertes.

“Sa karaktere të ngjashme ka pasur nënshkrimi në letrën e faunës me nënshkrimin në ditar”, pyeti avokati.

“Ndërtimi i karaktereve janë të njëjta, lidhja e karakterit në mes të nënshkrimit e cila duket sikur shkronja të vogla është lidhje që dy shkrues nuk mund të qesin të njëjtën sepse është karakteristike individuale, dhe kjo nënkupton se nuk ekzistojnë dy persona qe shkruajnë njësoj”, u përgjigj ekspertja.

Berisha tha se e konteston saktësinë e ekspertes sa i përket nënshkrimit sepse nuk ngjasojnë as për nga fillimi as mbarimi sipas tij duke pyetur eksperten se në rast se asaj i ofrohet një mostër e nënshkrimit për krahasim nga klienti i tij, a do të ndikonte kjo në rezultatin e saj.

Ekspertja tha se qëndron pranë raportit të saj.

Ndërsa ekspertja Mihrije Hajdaraj, përpiluesja e ekspertizës daktilograskopike në këtë rast për të cilin po zhvillohet ky proces gjyqësor, tha se pas ekspertimit ka gjetur se nuk ka pasur gjurmë papilare as në armën e ekzaminuar, e as në karikator.

Prokurori Hajdaraj pyeti eksperten nëse mund të vërehet fshirja e gjurmëve nga dëshmitë  që i dorëzohen në ekzaminim.

Ekspertja tha se fshirja vërehet vetëm nëse gjurmët janë të freskëta.

Milazim Tahirukaj, ekspert i gjurmëve të barutit, para trupit gjykues tha se rezultati pas ekspertimit  ka treguar se nuk ka mbetje të gjetjes me armë zjarri me prejardhje prej barutit.

Ekspertja e ADN-së, Hidajete Muharremi, tha se nga disa prej dëshmive është fituar një profil i ADN-së i një personi të panjohur të gjinisë mashkullore, i cili nuk përputhet me profilin e ADN-së së Kreshnik Halitit.

Ekspertja duke iu referuar dëshmive të ekspertuara tha se në dëshminë e 15 nuk është fituar sasi e mjaftuar e ADN-së për analiza të mëtutjeshme, nga dëshmia e 27 të marra në veturë,  nuk është identifikuar ADN me origjine njerëzore, e po ashtu edhe nga dëshmia 26 nuk është identifikuar gjak.

Ndërsa nuk u dëgjua eksperti i balistikës Qendrim Topalli, i cili ishte propozuar të dëgjohet  si dëshmitar nga mbrojtësi i mëhershëm i të akuzuarit.

Arsyeja për këtë ishte se avokati Besnik Berisha u tërhoq nga propozimi për dëgjim duke thënë se  teoria e mbrojtjes përjashton motivin, dashjen direkte, por nuk ka për qëllim t’i kontestojë disa nga faktet në dispozitiv të aktakuzës, sikur që nuk kontestohet  përshtatshmëria mes armës e gëzhojës.

Prokurori Hajdaraj propozoi që të gjitha deklaratat e dëshmitarit Driton Zekaj dhe Haxhi Morina të konsiderohen si të lexuara, propozim  ky i përkrahur nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gzim Kollqaku.

Avokati Berisha e kundërshtoi propozimin  sepse sipas tij deklaratat e dëshmitarëve e në veçanti deklarata e vëllait të të ndjerit, është përdorë në aktgjykimin e kaluar si një ndër shtyllat për të mbështetur indirekt motivin e ngjarjes së ditës kritike. Po ashtu tha se gjykata përmes kësaj dëshmie e ka mbështetur konstatimin e një borxhi që në deklaratat e tjera ka rezultuar jokonsistent.

Seanca e radhës mbahet më 8 nëntor 2019.

Gruaja e viktimës: Mentori shkoi për t’i marrë paratë që ia kishte borxh i akuzuari

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

Kreshnik Haliti në korrik te vitit 2018 ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

22 vjet e gjysmë burg për vrasjen e Mentor Zekajt në Pejë

www.kallxo.com