Ekspertja e forenzikës tregon se a ka patur ndërhyrje në kamerat e sigurisë në rastin e gjykimit të Kristë Gjokajt dhe të tjerëve

 

Kristë Gjokaj, major në Policinë e Gjakovës dhe ish-Komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Bekim Preqi, kapiten, si dhe zyrtarët policorë, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj, kanë dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këto vepra sipas Prokurorisë përfshijnë rrahje me grushte të një personi të arrestuar që ishte i prangosur brenda Stacionit të Policisë në Gjakovë.

Në seancë u dëgjua ekspertja e Agjencisë së Kosovës për Forenzike, Departamenti i teknologjisë informative, Hidajete Murati. Ajo tha se në rastin konkret ku akuzohet ish Komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë dhe policëve të tjerë, nuk ka pasur ndrydhje apo shkëputje të videoinçizimeve.

“Ekzistojnë mbi 1000 lloje të diviar-ve (video kamerave), të cilat regjistrojnë lëvizjet e personave dhe secilën lëvizje në videoinçizim. Ne mendojmë se nuk kanë pasur shkëputje, ndrydhje apo mos pasqyrim real të videos. Pajisjet tona nuk lexojnë konfigurimin por lexojnë vetëm videoinçizimet, kështu që një raport lidhur me konfigurimin mundet ta jap në këtë rast vetëm programuesi i diviarit (kamerës). Në këtë rast programuesi e dëshmon faktikisht që diviari (kamera), ka qenë e konfiguruar në atë mënyrë që nuk ka pasur ndrydhje dhe ndërhyrje”, tha ekspertja Murati.

Tutje ajo tha se sa i përket ekspertizës së saj ka dhënë mendimin dhe konstatimin në kuadër të kompetencave të saja.

“Ne kur e kemi kryer ekspertizën në fjalë kemi pasur 11 CD, mirëpo ashtu sikurse është cekur në urdhëresë të Gjykatës fokusi ka qene në CD 1 dhe 6, pasi aty ka qenë e fokusuar edhe urdhëresa. Ndrydhje të videoinçizimeve ka mundësi të bëhet kur ofrohet videoinçizimi, por në rastin konkret nuk ka pasur fare ndrydhje dhe se rasti është incizuar komplet pa u ndikuar fare. Unë ju them me vendosmëri se procedurat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë nuk na lejojnë të komentojmë lidhur me atë se a ka pasur Kristë Gjokaj kontakt me të dëmtuarin apo jo”, tha tutje ekspertja Murati.

Ajo gjithashtu tha se deri sa bëhet inçizimi dhe mbushet CD, pastaj bëhet edhe ri incizimi, por mund që pamjet mund të mos jenë 100% të sakta.

Tutje u bë shikimi i videoinçizimeve nga Stacioni i Policisë në Gjakovë, ku edhe sipas Prokurorisë janë kryer veprat penale, e ku i dëmtuari Muhamer Raifi shihej se është i gjakosor në fytyrë.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme do të vazhdohet më 05 korrik.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë duke e rrëzuar të dëmtuarin në dysheme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.

Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve, në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit tjerë duke e goditur me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit Muhamer Raifi, ku të njëjtit pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast LINK