Foto: Kallxo.com

Eksperti i zënë, zvarritet gjykimi për inventarin e komunës

Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i komunës së Kllokotit, tani nënkryetar i komunës, dhe Elbasan Alidema, Beqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u ballafaquar me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare me tenderë.

Por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet pasi që në seancë nuk ishte prezent eksperti financiar, Ibrahim Tahiri.

“Eksperti Tahiri e ka dërguar një parashtresë me të cilën e ka njoftuar gjykatën se gjendet në mbledhje të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës në të cilën është kryesues i saj”, tha Kryetari i trupit gjykues Islam Thaqi.

Avokati Milot Spahiu duke folur edhe në emër të avokatëve tjerë prezentë kërkoi nga Gjykata që seanca e sotme të mos mbahet.

“Kërkojmë nga Gjykata që në mungesë të ekspertit financiar seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër”, tha shkurt Avokati Spahiu.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sasha Mirkoviq në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e ka ditur se inventari i destinuar për objektin e komunës nuk ka arritur në objekt të komunës, dhe në mënyrë kundërligjore ka formuar komisionin komunal për pranim të atij inventari.

Tutje i akuzuari ka tubuar anëtarët e komisionit dhe i ka detyruar të hartojnë një raport kinse inventari ka arritur në Komunë.

Ndërsa Zeqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën, apo autoritetin e tyre zyrtar, duke hartuar një raport që kinse inventari i destinuar ka arritur në objektin e komunës edhe pse e kanë ditur se porosia e njëjtë nuk ka arritur fare.

Prokuroria e Gjilanit akuzon edhe Elbasan Alidemën. Sipas aktakuzës, Alidema ka keqpërdorur pozitën e tij duke qenë pronar i kompanisë “Metali”, edhe pse nuk e ka dërguar fare inventarin në komunë ka përpiluar faturë kinse në tërësi është përmbushur kontrata.

Aktakuza sqaron se Ministria e Pushtetit Lokal të akuzuarit Alidema i kishte paguar shumën prej 29,330 euro.

Të tre të akuzuarit ishin liruar nga akuzat por rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli më 18.10.2019 për shkak të shkeljeve procedurale.

 

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shty për 22 prill.

Tenderi për inventar e uli në bankën e të akuzuarit ish-kryetarin e komunës së Kllokotit