Eksperti i psikiatrisë: I akuzuari është i aftë ta përballojë gjykimin

Në gjykimin kundër Ermir Buqincës, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, u dëgjuan sot eksperti i psikiatrisë dhe 3 dëshmitarë,

Prokuroria po akuzon Ermir Buqincën se më 7 maj 2021, në Shipol, ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Bekim Hajdari, i cili pasi kishte dalë në oborr i akuzuari Buqinca kishte nxjerrë armën.

Tutje aktakuza thotë se pasi e ka parë të akuzuarin Buqinca se ka nxjerrë armën i dëmtuari i është gjuajtur në dorë duke u munduar t’i marrë armën nga dora.

Pasi i akuzuari Buqinca dhe i dëmtuari Hajdari ishin rrëzuar në tokë i akuzuari e kishte kafshuar në dorë të dëmtuarin dhe të akuzuarit i ka rënë arma nga dora dhe dëshmitari Valon Uka e kishte marrë armën e kishte ikur në drejtim të rrugës kryesore në Shipol.

Pas Valon Ukës kishte vrapuar Ermir Buqinca, i cili ia kishte marrë armën.

Fillimisht në seancën e sotme u dëgjua eksperti i psikiatrisë, Shpend Haxhibeqiri, i cili deklaroi se i pandehur Buqinca është i aftë për të përballuar gjykimin.

Lidhur me gjendjen psikike të të akuzuarit në kohën kur sipas Prokurorisë janë kryer veprat penale, eksperti Haxhibeqiri deklaroi se nga ekzaminimi kanë konstatuar se në momentin e kryerjes së veprimeve aftësia ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale.

Tutje eksperti i psikiatrisë deklaroi se si  pasojë e përdorimit të substancave i akuzuari  vuan nga çrregullimi mendor i sjellës F-21 sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve mendore, i cili nuk e përjashton përgjegjshmërinë.

Ndërsa në fund të deklaratës së tij eksperti Haxhibeqiri deklaroi se rekomandon që ndaj të akuzuarit Buqinca të shqiptohet masa për ndalimin psikiatrik në Insititutin Forenzik të Psikiatrisë.

Pas ekspertit të psikiatrisë në seancë u dëgjua edhe vetë i dëmtauri Bekim Hajdari.

Hajdari rrëfeu se një natë para ngjarjes kishte qenë në kafene dhe i pandehuri i ishte afruar te tavolina, e kishte sharë dhe i ka rrëzuar pijet  nga tavolina dhe e ka goditur me dorë në fytyrë. Tutje, ai tregoi se ishte larguar nga kafeneje e i akuzuari e kishte ndjekur nga pas.

Pastaj, të nesërmën, më 7 maj 2021, i dëmtuari tha se ka qenë ulur në shtëpi dhe aty kishte shkuar me veturë i pandehuri dhe një djalë tjetër.

“Si ka ardhur unë kam hyrë në shtëpi brenda dhe kanë dalë prindërit e mi dhe ky (Ermiri) ka ardhë me shpejtësi te dera e shtëpisë dhe e kam pa që po e mbante dorën në brez duke thënë: “Ku o Bekimi?”, tha i dëmtuari.

Tutje ai tha se ka dalë sepse ishte frikësuar se mos po i ndodhte diçka babait të tij. “Kur dola unë ai e nxjerri alltinë dhe kam kërcyer që t’ia kap armën por i njëjti nuk e ka lëshuar armën. Ai (Ermiri) më ka kafshuar me dhëmbë në dorën time të djathtë pastaj alltia i ka rënë në tokë, pastaj shoku im Valon Uka e ka marrë armën  dhe ka ikur në drejtim të rrugës në QTA”, shtoi ai.

Bekim Hajdari përfundoi duke thënë se armën nuk e di se ku është por sipas informatave Valon Uka ia ka dhënë të akuzuarit.

Po ashtu i dëmtuari Hajdari hoqi dorë nga kompensimi i dëmit.

Në këtë seancë u dëgjua edhë dëshmia e babait të të dëmtuarit, Agron Hajdarit. Ai tha se një natë para ngjarjes djali i kishte treguar për mosmarrëveshjen që kishte me Ermir Buqincën.

“Një natë para se të ndodhte ngjarja Ermiri i ka dërguar SMS kërcënues tërë natën djalit tim”, tha dëshmitari.

Ndërsa për më 7 maj rrëfeu se ai ishte në shtëpi kur kishte shkuar i akuzuari Buqinca me veturë, i shoqëruar nga një person.

“Unë kam qenë duke punuar në bahçe dhe  erdh Ermiri e tha: “Ku o Bekimi? Ku o Bekimi?” Unë u kam thënë: çka është në pyetje dhe kam parë Ermirin kur e ka drejtuar dorën në revole”, tha ai.

Agron Hajdari më pas tregoi se në momentin kur djali ka dalë nga shtëpia Ermiri ka nxjerrë revolen dhe djali ia ka kapur  dorën në të cilën e kishte revolen dhe janë rrëzuar në tokë. “Pasi që janë rrëzuar në tokë Ermiri e ka kafshuar në dore dhe shoku i Bekimit, Valoni, e ka marrë revolen e Ermirit që i kishte rënë dhe ka ikur ndërsa Ermiri i ka thënë: Ama armën”, shtoi ai.

Në fund të kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari Valon Uka, i cili sipas Prokurorisë i kishte marrë armën tani të akuzuarit nga dora dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Valon Uka në pika të shkurta dha deklaratën e tij në seancën e sotme duke deklaruar fillimisht se mbetet në tërësi pranë dy deklaratave të dhëna më 7 dhe 11 maj.

Uka shtoi se më 7 maj 2021 kam qenë te shtëpia e Bekim Hajdarit.

“Aty ka ardhur Ermir Buqinca me veturë së bashku me Beratin dhe ka kërkuar të bisedojë me Bekimin dhe për një moment ka eskaluar situata ku Ermiri ka nxjerrë revolen të cilën ia kam marrë unë dhe jam larguar nga vendi i  ngjarjes”, tha dëshmitari.

Kur u pyet nga prokurorja Fetije Bajrami se çfarë lloji ishte arma, dëshmitari Uka tha se ndonëse armën e ka pasur në dorë nuk e di çfarë arme ka qenë sepse nuk merr vesh nga armët.

Kur u pyet nga avokati Armend Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Buqinca, se a është e vërtetë që në Polici ka deklaruar se kur Agron Hajdari e ka marrë sëpatën Ermir Buqinca ka nxjerrë revolen nga brezi, dëshmitari Uka deklaroi se është e vërtetë.

Dëshmitarit Uka  i dëmtuari Bekim Hajdari i kërkoi të fliste më shumë rreth natës që ishin në lokal, ku kishte pasur mosmarrëveshjen me Ermir Buqincën, ku ishte rrëzuar tavolina, ishin thyer pijet e ishte grushtuar i dëmtuari nga tani i akuzuari Buqinca.

Në pyetjet e të dëmtuarit dëshmitari Uka deklaroi se “se aty kishte një kacafytje se kush kënd e ka goditur nuk e di”.

Seanca do të vazhdojë nesër me deklarimin e të akuzuarit Ermir Buqinca dhe me fjalën përfundimtare.