Foto: Kallxo.com

Eksperti financiar jep vlerësimin për të akuzuarin për mundësim të marrjes së kredive në institucionin mikrofinanciar

Një ekspert financiar është dëgjuar sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykatën e Prishtinës në rastin kundër Ilir Imerit i cili po akuzohet nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës.

Sipas prokurorisë, Imeri duke qenë në cilësinë e analistit në Institucion Mikrofinanciar të Kreditimit Rural të Kosovës ka vepruar në kundërshtim me ligjin e Bankës Qendrore pasi gjatë muajve qershor-tetor të vitit 2018, ai në mënyrë të kundërligjshme kishte nxjerrë jashtë zyrës marrëveshjen e kolateralit hipotekar duke ua mundësuar pesë personave marrjen e kredisë.

E me këtë rast, gjithnjë sipas aktakuzës, Institucionit Mikrofinanciar Rural të Kosovës i ishte shkaktuar dëm prej 13,700 euro.

“Sa i përket detyrave të punës me të cilat ka qenë i pandehuri Ilir Imeri i ngarkuar, e duke u mbështetur në të dhënat nga dokumentacioni, kam vlerësuar ai në kontekst të detyrave të caktuara, i ka kryer detyrat siç parashihet në aktet e subjektit ku ka punuar”, tha eksperti Riza Blakaj.

Bazuar në ekspertizën e dorëzuar pranë gjykatës, vërejtje ka pasur si nga e ana e prokurorisë, ashtu dhe nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hodaj.

Gjithë kjo për faktin se në një pjesë të saj, eksperti kishte potencuar se si ka ardhur deri te borxhi i kredimarrësve dhe se në bazë të gjetjeve ka dhënë mendimin e tij duke konstatuar se nuk do të duhet të nënkuptonte përgjegjësinë personale të akuzuarit.

Vërejtjet e tyre kryesisht u bazuan në faktin se me ligj eksperti nuk lejohet të shpreh mendimin e tij lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.

Sipas ekspertit, borxhi i mbetur deri në datën kur është bërë ekspertiza është 10,959.35 euro borxh ky i cili tashmë është në procedurë të përmbarimit.

Lidhur me këto Blakaj thekson se konsideron që ka zbatuar ne tërësi urdhëresën për ekspertizë dhe se nuk ka dalë përtej saj.

I pyetur nga avokati Hodaj lidhur me shumën e dëmit të pësuar, eksperti Blakaj theksoi se nuk ka dëm, por  ka borxh nga kredimarrësit, përkatësisht kredi të papaguara nga inkasantët.

Tutje, trupi gjykues lidhur me propozimet e avokatit të palës së dëmtuar sa i përket një ekspertize të re financiare aprovoi të njëjtin, ndërkaq u refuzua propozimi për caktimin e ekspertizës grafologjike, pasi që në ketë rast vepra penale për të cilën akuzohet Ilir Imeri nuk ka të bëjë me falsifikim.